CIA heton Sindromën e Havanës

Shefi i CIA-s, William Burns.

Drejtori i CIA-s, William Burns, tha se ka rritur përpjekjet e agjencisë së tij për të përcaktuar shkakun e një gjendjeje misterioze shëndetësore, që prek diplomatët amerikanë.

Sëmundja shkakton larmi simptomash, përfshirë: marramendje, të përziera, migrenë dhe humbje të kujtesës.

Sëmundja është quajtur Sindroma e Havanës, sepse është shfaqur për herë të parë në Ambasadën amerikane në Havanë, në vitin 2016, duke prekur dhjetëra diplomatë.

Në vitet më pas, dhjetëra raste të reja janë raportuar në objektet diplomatike të SHBA-së në Kinë, Rusi, Evropë dhe Azi Qendrore.

Javën e kaluar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se po heton raportet e dhjetëra oficerëve të inteligjencës, diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë në Vjenë, të cilët janë ankuar për simptoma të ngjashme me ato të Sindromës së Havanës.

Në një intervistë për Radion Publike Kombëtare në SHBA, Burns tha se ekziston një “mundësi shumë e madhe” që simptoma të shkaktohet qëllimisht.

Ai tha se ka caktuar një oficer të lartë për të udhëhequr një task-forcë, që heton sindromën.

“Jam absolutisht i vendosur për të gjetur përgjigjen se çfarë dhe kush e shkakton këtë”, tha Burns.

Ai tha se rreth gjysma e 200 zyrtarëve amerikanë dhe familjarëve të prekur janë oficerë të CIA-s ose të afërm të tyre.