Një skandal që ka ndjekur Volodymyr Zelenskyn që nga viti i kaluar është rikthyer në vëmendje, pas lajmit se agjencitë kundër korrupsionit i kanë dorëzuar ish-shefit të kamotshëm të tij të kabinetit, Andriy Yermak, një njoftim si i dyshuar në një skemë për pastrim parash në vlerë prej miliona dollarësh.
Njoftimi për dyshim, që në njëfarë forme është një akuzë formale, përbën zhvillimin më të madh në hetimin që u bë publik më 2025 dhe detyroi Zelenskyn të ndërmerrte disa hapa për të shmangur pasoja të rënda politike, përfshirë edhe largimin e Andriy Yermakut pas më shumë se pesë vjetësh si shef i kabinetit të tij dhe njeri me ndikim në administratën e presidentit ukrainas.
Njoftimi, të cilin Yermak e quajti “të pabazë” në një postim më 12 maj në Telegram, vjen në një moment të ndjeshëm për mbrojtjen e Ukraine kundër pushtimit të gjerë nga Rusia, që tashmë është në vitin e pestë, dhe në një kohë kur bisedimet e paqes të udhëhequra nga Uashingtoni janë bllokuar mes luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.
Si mund të ndikojë ky zhvillim te Zelensky dhe situata në Ukrainë?
Ja pse mund ta godasë rëndë presidentin e Ukrainës dhe pse ai mund të shpresojë të mos pësojë dëm të madh:
“Pothuajse një entitet i vetëm”
Në mendjen e shumë ukrainasve, Volodymyr Zelensky dhe Andriy Yermak mund të jenë të pandashëm, pavarësisht largimit të Yermakut si shef i kabinetit në nëntor të vitit të kaluar. Lidhjet e tyre datojnë rreth një dekade para se aktori i komedisë dhe politikani pa përvojë, Volodymyr Zelensky, të fitonte zgjedhjet presdienciale në vitin 2019.
“Ata janë bërë të pandashëm” dhe “pothuajse si një entitet i vetëm”, deklaroi për Radio Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar, Volodymyr Fesenko, drejtor i Qendrës Penta për Studime Politike në Kiev.
Ky raport i afërt dhe ndikimi i madh që Andriy Yermak kishte si shef i kabinetit nënkuptojnë se çdo njollë ndaj tij mund të reflektojë edhe te Zelensky.
“Ndryshe nga Volodymyr Zelenskyy, Andriy Yermak ishte dikush për të cilin askush nuk kishte votuar”, tha më 12 maj për Current Time, Yevhen Mahda, drejtor i Institutit për Politikë Botërore në Kiev. “Përgjegjësia për emërimin e tij si shefi i administratës, dhe më pas për dhënien e të gjitha kompetencave që ai ushtroi, i takon plotësisht Volodymyr Zelenskyt”.
'Vova'
Më 11 maj, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) njoftuan se kishin “zbuluar një grup të organizuar të përfshirë në legalizimin” – pastrimin – “e 460 milionë hrivniave [10.5 milionë dollarë] në një ndërtim luksoz afër Kievit”.
SHIKONI EDHE:
Hapat e radhës në hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë në UkrainëBëhet fjalë për një kompleks elitar banesor të quajtur Dynastia, për të cilin autoritetet kundër korrupsionit thonë se po ndërtohej pjesërisht me disa nga rreth 100 milionë dollarët, që janë me origjinë të dyshimtë nga sektori energjetik, përfshirë edhe para që dyshohet se vinin nga ryshfetet që të dyshuarit u kërkonin nënkontraktorëve të kompanisë shtetërore ukrainase të energjisë bërthamore, Energoatom.
Ka pasur shenja se skema mund të jetë shtrirë edhe te kontratat për instalime mbrojtëse në objektet energjetike. Ideja se zyrtarë të korruptuar mund të kenë rritur rrezikun nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ka shtuar pakënaqësinë publike.
Një nga elementët e këtij skandali të madh të korrupsionit është një seri audio-incizimesh, në të cilat disa nga të dyshuarit, duke përdorur emra kod si “Kirurgu” dhe “Ali Baba”, diskutojnë çështje që përfshijnë projektin Dynastia. Pjesëmarrës në një nga këto biseda thuhet se përmendin se një nga shtëpitë në kompleks do të ishte për “Andriy” dhe një për “Vova”, që është shkurtim për Volodymyr, duke nxitur spekulime se mund t’i referohet presidentit Zelensky.
Në një konferencë për media më 12 maj, kreu i NABU-s, Semen Kryvonos, tha se Zelensky “nuk ka qenë dhe aktualisht nuk është subjekt i hetimit fillestar”. Ai tha se në kuadër të hetimit, që po vazhdon, po shqyrtohen “teori të ndryshme hetimore lidhur me pronësinë e disa aseteve”.
Këshilltari për komunikim i Zelenskyt, Dmytro Lytvyn, deklaroi më 11 maj se ishte ende herët për të komentuar akuzën e ngritur ndaj Yermakut, duke përmendur se procesi ligjor po vazhdon.
Yermak u tha gazetarëve se e vetmja pronë e paluajtshme që zotëron është një banesë në Kiev. Avokati i tij, Ihor Fomin, gjatë një deklarimi për televizionin publik Suspilne mohoi se Yermak ishte i përfshirë në skemën e dyshuar të pastrimit të parave.
Lufta dhe Perëndimi
Pavarësisht garancisë se ai nuk është nën hetim, dhe pavarësisht çfarë gjykimesh mund të mbahen apo çfarë vendimesh mund të merren në të ardhmen, Zelensky mund të jetë i shqetësuar për efektet e mundshme të skandalit në pozitën e tij në Perëndim dhe në të ardhmen e mbështetjes evropiane dhe amerikane për mbrojtjen kundër ofensivës ruse.
Me ndihmën amerikane që pothuajse ka përfunduar, përveç një programi në kuadër të të cilit vendet evropiane blejnë armë nga SHBA-ja dhe më pas e furnizojnë me to Ukrainën, Kievi ka bërë hapa për të ulur varësinë nga armët perëndimore. Megjithatë, armë të tilla si raketat Patriot të prodhuara në SHBA vazhdojnë të mbesin kyç për mbrojtjen e Ukrainës.
Në rrafshin diplomatik, Zelensky mund të jetë po ashtu i shqetësuar për mënyrën se si ky rast mund të ndikojë në raportet e tij nganjëherë të tensionuar me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe administratën e tij, veçmas nëse kjo mund ta shtyjë Uashingtonin të rrisë presionin ndaj Kievit për të dorëzuar territorin te Moska, përkatësisht të pjesës së mbetur të territorit që Ukraina ka nën kontroll në rajonin e pushtuar pjesërisht nga Rusia, Donjeck, ose për të bërë lëshime të tjera të dhimbshme në kuadër të ndonjë marrëveshjeje për paqe.
Ana tjetër e kësaj është se, të paktën për momentin, Zelensky mund të argumentojë se hetimi dhe njoftimi për dyshim ndaj Andriy Yermak janë shenja se Kievi po përpiqet të luftojë korrupsionin, pavarësisht se sa afër ky hetim është ndaj presidentit dhe administratës së tij.
Nëse ukrainasit dhe audiencat jashtë vendit do ta pranojnë këtë argument, kjo është çështje tjetër. Por, një faktor që mund të jetë në favor të Zelenskyt është fakti se zhvillimet kanë ardhur në mënyrë të shkallëzuar: në fund të nëntorit, Andriy Yermak dha dorëheqje vetëm disa orë pasi NABU dhe SAPO kontrolluan zyrën e tij, kështu që njoftimi për dyshim nuk ishte një befasi e madhe.
SHIKONI EDHE:
Jep dorëheqje shefi i stafit të Zelenskyt, pasi hetuesit kundër korrupsionit ia bastisën zyrënMegjithatë, nëse ai do të largohej nga Ukraina, siç kanë bërë disa të tjerë të përfshirë në këtë rast, kjo do të ngrinte pikëpyetje serioze për mënyrën se si Zelensky i ka menaxhuar këto zhvillime.
Në postimin e tij në Telegram pas seancës dëgjimore të 12 majit, në të cilën prokurorët kërkuan që një gjykatë në Kiev të urdhëronte ndalimin e tij, duke kërkuar dorëzani që të mbrohet në liri në vlerë prej 4.1 milionë dollarësh, Yermak tha se planifikon të qëndrojë në Ukrainë dhe të vazhdojë ushtrimin e profesionit të avokatit.
Pauzë politike
Më herët në nëntor, biznesmeni Tymur Mindich, një mik i vjetër dhe bashkëpunëtor i kahershëm i Volodymyr Zelenskyt, i cili ishte figurë kyç në skemën e dyshuar të korrupsionit në sektorin energjetik, iku nga shteti duke kaluar me taksi kufirin polak vetëm pak orë para se autoritetet të nisnin bastisjet lidhur me hetimin, gjeti Schemes, njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Një figurë tjetër kyç, ish-ministri i Energjisë Herman Halushchenko, u ndalua teksa po përpiqej të largohej nga Ukraina me tren në muajin shkurt dhe të nesërmen ndaj tij u ngrit akuzë për pastrim parash.
Cilado qofshin pasojat e akuzave ndaj Yermakut në javët apo muajt e ardhshëm, për momentin Zelensky mbrohet nga pasojat më konkrete të mundshme politike për shkak se në Ukrainë është e shpallur gjendja e luftës dhe që është në fuqi që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022. Kjo masë ndalon që vendi të organizojë zgjedhje të reja.
Por, ndonëse uniteti i fortë ukrainas përballë pushtimit rus është po ashtu një pikë politike për Zelensky, kjo nuk do të thotë se ai është imun ndaj pakënaqësisë publike. Verën e kaluar, ai arriti të shmangte një situatë potencialisht shpërthyese duke u tërhequr, pasi turma protestuesish dolën në rrugë kundër një projektligji që, sipas tyre, do t’ia hiqte autonominë NABU-s dhe SAPO-s, dhe duke i dhënë një goditje të madhe përpjekjeve kundër korrupsionit.
SHIKONI EDHE:
A do ta përballojë Zelensky skandalin e madh të korrupsionit në rrethin e tij?Zelensky e tërhoqi projektligjin, për të cilin kundërshtarët kishin paralajmëruar se nëse do të miratohej, do të përbënte një hap të madh drejt kontrollit më të fortë shtetëror dhe autoritarizmit nën Zelenskyn dhe Yermakun, të cilët kritikët i akuzuan se qëndronin pas projektligjit në përpjekje për të penguar hetimet për korrupsion të arrinin deri te rrethi i presidentit, përfshirë edhe te vetë ai.
Korrupsioni, si ai real ashtu edhe ai i perceptuar, ka penguar raportet e Kievit me Perëndimin që kur Ukraina fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik që u shpërbë më 1991 dhe ky skandal vjen në një kohë kur Ukraina po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.