Të paktën 68 persona kanë vdekur pasi dy trena të shpejtë u përplasën në Spanjë. Ky është aksidenti i dytë vdekjeprurës në më pak se një vit në linjat që lidhin Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, thanë autoritetet rajonale.
Dhjetëra persona të tjerë raportohet se kanë pësuar lëndime, teksa qindra autoambulanca, helikopterë janë parë në vendngjarje.
Pamjet e transmetuara nga mediat rajonale shfaqën disa vagonë të dëmtuar dhe shina metalike të shtrembëruara.
Miguel, që po udhëtonte me disa kolegë dhe gjendej në vagonët nga fundi i një prej trenave që u përplas, foli për radio COPE për aksidentin.
“Dëgjuam një zhurmë të madhe që zgjati për dhjetë sekonda, teksa treni po dilte nga shinat. Nga dritarja që gjendej në anën e djathtë e pamë trenin e shkatërruar”, tha ai.
Një person i informuar për aksidentin tha se një tren ekspres i operatorit hekurudhor spanjoll Iryo ndaloi pranë Toledos për shkak të një defekti në sinjalistikë, me urdhër të menaxherit të infrastrukturës, ADIF-it, kur u godit nga një tjetër tren i shpejtë.
Sipas këtij personi, një tren që operohet nga Renfe më pas goditi me shpejtësi të madhe trenin që kishte ndaluar, duke bërë që disa vagonë të të dy trenave të dilnin nga shinat.
As Iryo as Renfe nuk kanë komentuar publikisht për ngjarjen.
Qeveria rajonale e Kastilla-La Mança tha se numri i viktimave është të paktën 30, duke paralajmëruar se numri mund të rritet.
Jesus Perez Martin, kryetar i qytetit Los Jebenes, që gjendet në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, tha se situata është e “tmerrshme”.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e Spanjës u ka bërë thirrje njerëzve që të dhurojnë gjak pas këtij aksidenti.
Nga qeveria rajonale e Kastilla-La Mança thanë se 174 persona po udhëtonin me trenin e Iryo-s dhe 397 me atë të Renfe-së.
SHIKONI EDHE:
Spanja shpall tri ditë zie, teksa rritet numri i viktimave nga përplasja e trenavePërplasja e dy trenave vjen nëntë muaj pas një aksidenti mes dy trenave të shpejtë – që u përkisnin dy operatorëve të njëjtë – që ndodhi në të njëjtën linjë dhe që la të vdekur 46 persona.
Aksidenti i janarit, që ndodhi pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tren që po vinte në drejtim të kundërt pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, nxiti debat për nivelin e investimeve në mirëmbajtjen e rrjetit hekurudhor gjatë viteve të fundit.