Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë hedhur poshtë kërkesën e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, për modifikimin apo uljen e dënimit me tri vjet burgim.
Në një njoftim për media, gjykata e Kosovës në qytetin holandez, e njohur edhe si Gjykata Speciale, tha se kryetarja e saj, Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor se dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.
Shala u dënua me tre vjet burgim në shkurt të këtij viti, si dhe me gjobë prej 400 eurosh, pasi paraprakisht e kishte pranuar fajësinë për pengim të drejtësisë.
SHIKONI EDHE: Specialja dënon me burgim Shalën, Januzin dhe BahtijarinAtij iu mohua modifikimi apo ulja e dënimit pasi Trendafilova, pas konsultimit me gjykatësit e paneleve që kishin shqiptuar dënimin, erdhi në përfundim se Shala “nuk kishte shprehur keqardhje” për krimin.
Trendafilova do ta shqyrtojë modifikimin e mundshëm të dënimit të Shalës në shkurt, sipas njoftimit.
Shala është mbajtur në burgun e qytetit holandez nga 11 dhjetorit 2023, që nënkupton se atij i kanë mbetur vetëm edhe një vit nga vuajtja e plotë e dënimit prej tri vjetësh.
Shala ishte dënuar së bashku me dy të tjerë, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, ndaj të cilëve prokurorët e Gjykatës Speciale kishin aktakuzë për pengim të drejtësisë.
SHIKONI EDHE: Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë se e frikësuan një dëshmitarBahtijari dhe Januzi u dënuan me nga dy vjet burgim.
Që të tre kishin arritur marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.
Çfarë thoshte aktakuza për Shalën, Januzin e Bahtijarin?
Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.
Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.
Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.
Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.