Maskat nga Shkodra zbukurojnë karnavalet e botës

Çdo vit, zejtarët në Fabrikën e maskave artistike të Venedikut në Shkodër të Shqipërisë, prodhojnë më shumë se 20.000 maska të punuara me dorë.

 

Rreth 1.700 pjesë të veçanta kostumesh a maskash janë krijuar vetëm këtë vit, e që do të vishen nga pjesëmarrësit e karnavaleve nga Rio në Tokio.

Puna artizanale në një kostum karnavalesh. 

Pjesa më e madhe e maskave artistike të krijuara këtë sezon u dorëzuan përtej Detit Adriatik në Venecia, ku karnavali i këtij viti iu kushtua Marco Polos - një prej banorëve ikonë të qytetit - në 700-vjetorin e vdekjes së tij.

“Me pupla, dantella apo kristale Swarovski, maskat venedikase këtë vit janë bërë për të tërhequr shikimin e të gjithëve falë elegancës së tyre vezulluese”, tha për AFP-në, pronari dhe artisti kryesor i Fabrikës së Maskave Artistike të Venedikut, Edmond Angoni.

Angoni gjithashtu zotëron tetë dyqane në Venedik ku krijimet e tij -- kostume, maska të praruara dhe fustane luksoze -- shiten me çmime deri në 5.000 euro (5.350 dollarë) për copë.

Ndër artikujt më të njohur këtë vit janë maskat e mëdha të kafshëve, frymëzuar nga veprat e piktorit austriak, Gustav Klimt dhe artistit çek, Alphonse Mucha.

Çdo model i ri fillimisht është skalitur në argjilë, më pas lëmohet me shtresa letre me qiriç mielli.
Procesi përfshin disa faza dhe mund të duhen javë për të përfunduar një pjesë të vetme.

“Nga më e thjeshta te më ekstravagantet, e madhe apo e vogël, çdo maskë është një pjesë unike, një vepër arti unike”, tha Angoni. 

"Çdo maskë ka historinë e saj, frymën e saj, misterin dhe magjinë e saj. Mbi të gjitha, çdo maskë është një vepër arti", tha Gise Zeqo, e cila punon në studio që kur u hap 27 vjet më parë.

Që nga hapja e dyerve të saj më 1997, studioja e Angonit ka prodhuar qindra mijëra maska, përfshirë ato që janë veshur në trillerin erotik të Stanley Kubrick "Eyes Wide Shut", me aktorë Nicole Kidman dhe Tom Cruise.

Vetëm salla ku janë ekspozuar modele maskash, tërheq vizitorë kureshtarë në masë.
 Krahas maskave klasike të Harlequinit dhe Pulcinellas që kthehen në Venedik si maska të vjetra, ato të reja shfaqin fytyrat e Marilyn Monroe dhe Michael Jackson së bashku me personazhet nga hiti i Netflix-it "Money Heist".