Manastirin ikonik të Kievit e përfshin zjarri gjatë sulmeve vdekjeprurëse të Rusisë në Ukrainë

Zjarr në kompleksin e mbrojtur nga UNESCO-ja, Kyiv-Pechersk Lavra, manastirin më të rëndësishëm ortodoks të Ukrainës, pas sulmeve ruse më 15 qershor.

Rusia e ka goditur kompleksin e mbrojtur nga UNESCO-ja, Kyiv-Pechersk Lavra, manastirin më të rëndësishëm ortodoks të Ukrainës, gjatë një sulmi shumë të madh me raketa dhe dronë gjatë natës, duke i vrarë të paktën 11 njerëz në mbarë Ukrainën.

Sulmet ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me liderin rus, Vladimir Putin, dhe theksoi se dëshironte të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës.

Your browser doesn’t support HTML5

“Plumb në zemër”: Katedralja historike në Kiev digjet në një sulm të madh rus

Si pasojë e sulmeve, një pjesë e kompleksit historik të manastirit u përfshirë nga zjarri, si dhe u plagosën të paktën 13 njerëz në vendngjarje. Autoritetet raportuan dëme të mëdha në gjithë Kievin si rrjedhojë e një prej sulmeve ajrore ruse më të mëdha që nga fillimi i luftës.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjatë natës një breshëri prej 70 raketash dhe 611 dronësh kundër Ukrainës, duke synuar kryesisht kryeqytetin Kiev. Edhe qytetet Dnipro dhe Harkiv u goditën.

"Kështu Rusia i tregon botës synimin e saj për ta vazhduar luftën", shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X pas sulmeve ruse.

Përgjatë luftës dhe paqes: Manastiri i Shpellave i Kievit

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se sulmet ruse vranë pesë punonjës të ekipeve të shpëtimit dhe plagosën të paktën pesë të tjerë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili ndodhet në verilindje të vendit.

“Në Harkiv, pesë shpëtimtarë të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave u vranë ndërsa po luftonin zjarret e shkaktuara nga sulmet e përsëritura ruse. Të paktën pesë të tjerë u plagosën”, shkroi Klymenko në Telegram.

Autoritetet thanë gjithashtu se gjashtë njerëz, përfshirë një foshnjë, u plagosën nga një zjarr në Muzeun e Artit të Harkivit si pasojë e një sulmi ajror rus.

“Një zjarr i lokalizuar ka shpërthyer në ndërtesën e muzeut të artit, duke përfshirë një sipërfaqe prej 1.200 metrash katrorë. Po punohet për shuarjen përfundimtare të tij”, njoftuan autoritetet e shërbimit të emergjencave të Ukrainës.

“Sulm brutal” ndaj trashëgimisë kulturore

Ndër ndërtesat e goditura në Kiev ishte edhe katedralja kryesore e kompleksit historik Kyiv-Pechersk Lavra, (Manastiri i Shpellave), një zonë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku zjarrfikësit vazhduan të luftonin zjarrin në orët e para të së hënës.

“Një sulm brutal ndaj popullit tonë dhe trashëgimisë sonë. Kjo është fytyra e vërtetë e vlerave ortodokse të Rusisë”, shkroi kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, në platformën X.

Më shumë se një duzinë automjetesh zjarrfikëse u panë pranë manastirit gjatë mëngjesit, ndërsa zjarrfikësit punonin për të shuar zjarrin si nga brenda ndërtesës, ashtu edhe nga platformat e jashtme, raportoi një gazetar i AFP-së në vendngjarje.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, dënoi sulmin rus ndaj manastirit më të rëndësishëm ortodoks të Ukrainës, duke e cilësuar atë si “barbarizëm shtetëror”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e dënoi sulmin ndaj civilëve ukrainas dhe ndaj manastirit shekullor Kyiv-Pechersk Lavra, duke thënë se "këto janë krime lufte dhe Rusia do të duhet të përgjigjet për to".

Ndërkohë, mediat shtetërore ruse cituan Ministrinë e Mbrojtjes së vendit, e cila pretendoi se manastiri Kyiv-Pechersk Lavra ishte goditur nga një raketë e sistemit Patriot me të cilin Kievi është furnizuar nga SHBA-ja, si pasojë e ndonjë defekti ose e raketave të skaduara të ofruara nga vendet perëndimore.

Më vonë gjatë ditës, Shërbimi Sekret i Ukrainës (SBU) publikoi një deklaratë ku thuhej se Rusia e kishte goditur Kyiv-Pechersk Lavrën me një dron Geran-2, i cili është versioni rus i dronit kamikaz të tipit iranian Shahed.

Agjencia publikoi gjithashtu fotografi të asaj që tha se ishin mbetje të dronit të dyshuar.

"Hetuesit e Shërbimit të Sigurisë e kanë klasifikuar sulmin si krim lufte dhe tashmë kanë hapur procedurë penale", shtoi ajo.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sulmi “masiv” gjatë natës shkaktoi dëme dhe zjarre pothuajse në të gjitha qarqet e kryeqytetit. Autoritetet njoftuan se katër njerëz u vranë dhe të paktën 25 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave raportoi gjithashtu se pas sulmit shpërtheu zjarr në Kompleksin Kombëtar të Muzeut të Artit dhe Kulturës “Mystetskiy Arsenal” në Kiev, institucioni kryesor kulturor i Ukrainës, duke përfshirë një sipërfaqe prej rreth 1.000 metrash katrorë.

Rusia goditi gjithashtu Studiot Kombëtare të Filmit “Dovzhenko”, një nga studiot më të vjetra të filmit në Ukrainë, e themeluar në vitin 1927 në Kiev, njoftoi ministrja e Kulturës, Tetyana Berezhna, në Facebook.

Ukraina kundërpërgjigjet

Ndërkohë, Kievi ka vazhduar sulmet e tij të shpeshtuara së fundmi kundër shënjestrave industriale dhe infrastrukturës energjetike të Rusisë, në përpjekje për t’ia ndalur Kremlinit burimet financiare që po i përdor për ta financuar luftën kundër Ukrainës.

Guvernatori rajonal Dmitry Milyayev njoftoi në Telegram se tre njerëz u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm ukrainas me dronë ndaj qytetit rus Tula, rreth 200 kilometra në jug të Moskës.

Nuk është e qartë se cilat objekte ishin goditur, por rajoni i Tulës strehon disa nga objektet më të mëdha industriale të Rusisë dhe ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve ukrainase që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Gjithashtu, në orët e para të së hënës, autoritetet e instaluara nga Kremlini në zonat e pushtuara të rajonit ukrainas të Hersonit deklaruan se sulmet ukrainase kishin dëmtuar dy ura dhe se qarkullimi ishte pezulluar.

SHIKONI EDHE:

Sulmet më të sakta dhe më të shpeshta të Ukrainës godasin industrinë e naftës së Rusisë

Nuk pati shumë hollësi rreth kësaj, ndërsa raportimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Trump bisedon veçmas me Putinin dhe Zelenskyn

Këto luftime u zhvilluan derisa Trumpi i tha Putinit gjatë një telefonate të dielën vonë se përfundimi i konfliktit në Ukrainë është jetik dhe se ai është i gatshëm të ndihmojë në arritjen e paqes, sipas këshilltarit të Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov.

“Sa i përket konfliktit ukrainas, Donald Trump theksoi sërish se ndërprerja e luftimeve është thelbësore”, u tha Ushakov gazetarëve duke dhënë hollësi nga telefonata 55-minutëshe.

Trump zhvilloi gjithashtu një bisedë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se të dy diskutuan përpjekjet për t’i dhënë fund luftës para samitit të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7), që fillon të hënën në Francë.

Zelensky shkroi në Telegram se i kishte uruar Trumpit ditëlindjen e 80-të dhe e kishte falënderuar për ndihmën që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës gjatë konfliktit.

“I urova presidentit Trump çdo sukses, para së gjithash në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, tha Zelensky.