Sulmet ukrainase e shtyjnë Moskën t’i forcojë lidhjet e mbrojtjes me Azinë Qendrore

Presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Tokaev, dhe ai i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoev, duke marrë pjesë në një paradë ushtarake në Moskë. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar direktiva për ndryshimin e marrëveshjeve për bashkëpunimin ushtarako-teknik me Kazakistanin dhe Uzbekistanin, duke hapur potencialisht rrugën për lidhje më të thella në fushën e mbrojtjes me këto dy shtete të Azisë Qendrore.

Teksa sanksionet perëndimore dhe sulmet ukrainase me rreze të gjatë veprimi po e vënë nën presion industrinë ushtarake të Rusisë, kjo lëvizje mund të sinjalizojë se Moska po kërkon të zhvendosë një pjesë të bazës së saj ushtarako-industriale për të zvogëluar cenueshmërinë ndaj sulmeve.

Pasi Putin nënshkroi direktivat muajin e kaluar, Kremlini nuk ka bërë të ditur se çfarë ndryshimesh kërkon të bëjë në marrëveshjet, të cilat mbulojnë furnizimin dhe mirëmbajtjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes me Kazakistanin në vitin 2015 – pas nënshkrimit fillestar në Moskë në vitin 2013 – Astana ka blerë një sërë pajisjesh ushtarake ruse, përfshirë aeroplanë luftarakë, helikopterë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

SHIKONI EDHE:

Sulmet ukrainase me dronë po e çojnë luftën thellë brenda Rusisë

Ngjashëm, marrëveshja e vitit 2016 me Uzbekistanin zgjeroi bashkëpunimin ushtarako-teknik mes dy vendeve, ndërsa Tashkenti bleu helikopterë rusë sulmues, transportues të blinduar të personelit dhe dronë taktikë.

Yermek Seitbattal, një analist ushtarak kazak i specializuar në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, tha se koha kur është ndërmarrë ky vendim vë në pah presionin ndërkombëtar në rritje ndaj Moskës.

“Besoj se Kremlini ndodhet në një pozitë të vështirë”, tha Seitbattal. “Paketa e 21-të e sanksioneve të [Bashkimit Evropian] është në horizont. Nuk ka pasur suksese të dukshme në fushëbetejë... dhe në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara... po rrisin nivelin e ndihmës për Ukrainën”.

Sipas Seitbattal, një tjetër burim presioni vjen nga fushata e intensifikuar e Ukrainës me dronë me rreze të gjatë veprimi, e cila, sipas tij, po pengon zinxhirin e furnizimit ushtarak të Rusisë brenda vendit dhe po nxjerr në pah nevojën e Moskës për të ndërtuar objekte prodhimi dhe riparimi më larg vijës së frontit.

“Kjo mund të cilësohet si një përpjekje për t’i sjellë stabilitet kompleksit ushtarako-industrial rus duke e zgjeruar bazën e tij në vendet fqinje që ndodhen jashtë zonave të luftimeve”, tha Seitbattal.

Distanca gjeografike nga Rusia do të ishte një avantazh strategjik, tha Derek Bisaccio, analist ushtarak në Forecast International, për Azattyq Asia, njësinë ruse të Radios Evropa e Lirë që mbulon Azinë Qendrore.

“Çdo gjë që ata mund të vënë në operim në territorin e një vendi tjetër vetëm sa do t’i ndërlikonte operacionet e Ukrainës. Mendoj se Ukraina është bërë padyshim më e guximshme në operacionet e saj, por nuk do të dëshironte të kryente sulme me dronë në territorin e Kazakistanit. Atje kjo do të konsiderohej një përshkallëzim serioz dhe nuk është diçka që ukrainasit do të donin ta bënin. Mendoj se Rusia e di këtë”, tha ai.

Kazakistani dhe Uzbekistani aktualisht kanë objekte kyç që ofrojnë shërbime të mirëmbajtjes dhe modernizimit për pajisjet ushtarake ruse. Ndër objektet kryesore janë Semey Engineering në Kazakistan, e cila merret me autoblinda, dhe Fabrika e Riparimit të Aviacionit në Almati, e specializuar në riparimin e helikopterëve. Fabrika e Riparimit të Avionëve në Çirçik të Uzbekistanit gjithashtu mirëmban aeroplanë ushtarakë të dizajnuar në kohën sovjetike.

Rënia e Bashkimit Sovjetik

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Rusia u përpoq të ruante ndikimin e saj ushtarak mbi shtetet që u pavarësuan të Azisë Qendrore përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të udhëhequr nga Rusia dhe të themeluar në vitin 1992. Ky bllok ka ndihmuar në mbajtjen e ushtrive të rajonit të lidhura me Moskën përmes stërvitjeve të përbashkëta, shitjeve të armëve dhe bashkëpunimit ushtarako-teknik, ndërsa ka shërbyer si kundërpeshë ndaj NATO-s në hapësirën post-sovjetike.

SHIKONI EDHE:

Rusia synon ta testojë NATO-n me stërvitjet ushtarake Zapad

Raportet ushtarake të Kazakistanit, Kirgizisë dhe Taxhikistanit me Rusinë janë të ndërthurura ngushtë me CSTO-në. Uzbekistani ka më shumë autonomi strategjike, pasi u largua nga aleanca në vitin 2012 për ta menaxhuar raportin e tij ushtarak me Moskën vetëm përmes marrëveshjeve dypalëshe.

Analisti i fushës së mbrojtjes, Seitbattal tha se Moska tani mund të jetë duke kërkuar të shkojë përtej rolit të saj tradicional si furnizuese e pajisjeve ushtarake dhe pjesëve të këmbimit.

“Sipas marrëveshjeve ekzistuese, Moska mund të ketë qenë e pakënaqur me konceptin e bashkëpunimit njëdrejtimësh. Me fjalë të tjera, ajo u shet armë dhe pajisje ushtarake, si dhe pjesë këmbimi për riparimin dhe modernizimin e kufizuar të tyre, shteteve anëtare të CSTO-së, ndërsa prej tyre pritet vetëm të paguajnë dhe të respektojnë rregullat, duke u përmbajtur nga blerja e llojeve të tjera të armëve nga vende jashtë CSTO-së”.

Ajo që nuk është e qartë është nëse vendet e Azisë Qendrore – veçanërisht Kazakistani dhe Uzbekistani – dëshirojnë të kenë lidhje ushtarake më të thella dhe reciproke me Rusinë.

Ministria e Mbrojtjes e Kazakistanit, në përgjigje të një pyetjeje të REL-it lidhur me marrëveshjen ushtarako-teknike me Rusinë, tha se çështje të tilla mbeten nën shqyrtimin e autoriteteve përkatëse shtetërore dhe nuk pranoi të komentojë përmbajtjen e ndryshimeve të propozuara.

Ministria shtoi se çdo marrëveshje apo protokoll që do të miratohejdo të zbatohej “në përputhje të rreptë me legjislacionin e Republikës së Kazakistanit”.

Ministria e Mbrojtjes e Uzbekistanit nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.

Pavel Baev, politolog dhe hulumtues në Institutin e Kërkimeve për Paqe në Oslo (PRIO), vuri në dyshim nëse Kazakistani dhe Uzbekistani kanë shumë arsye për të thelluar lidhjet ushtarako-teknike me Moskën, veçmas duke pasur parasysh aftësinë në rritje të Ukrainës për të depërtuar në mbrojtjen ajrore ruse dhe për të goditur infrastrukturën ushtarake, industriale dhe energjetike thellë brenda vendit.

Video: Ukraina sulmon thellë brenda territorit rus

Your browser doesn’t support HTML5

Brenda qendrës komanduese ukrainase të sulmeve me dronë ndaj Rusisë

Aftësitë e Ukrainës për sulme me rreze të gjatë veprimi janë zgjeruar ndjeshëm gjatë luftës, ndërsa Kievi tani është në gjendje të godasë objektiva qindra, madje edhe më shumë se 1.000 kilometra larg frontit.

“Fakt është se diçka tashmë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë rezultuar një dështim spektakolar, kështu që për fqinjët, bashkëpunimi në këtë fushë tani ka pak kuptim”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

A mund të pretendojë Moska se ende është superfuqi ushtarake?

Baev shtoi se Kazakistani dhe Uzbekistani thjesht mund të refuzojnë rihapjen e marrëveshjeve ose mund t’i zvarrisin negociatat.

“Nuancat mund të jenë të shumta, por është krejtësisht e mundur që ata të japin një sinjal të qartë se nuk shohin nevojë për rinegocimin e tyre. Pyetja interesante është nëse mund të koordinojnë një përgjigje të përbashkët”, tha ai.

Ai shtoi se zvarritja e negociatave do të ishte më e lehtë nëse Kazakistani dhe Uzbekistani do të vepronin së bashku.

I pyetur nëse përmbushja e kërkesave të Moskës mund ta ekspozonte Kazakistanin dhe Uzbekistanin ndaj sanksioneve të mundshme perëndimore, Baev tha se kjo mund të jetë pjesë e llogaritjeve të Kremlinit.

“Kjo mund të jetë një agjendë e fshehtë në udhëzimin e Putinit dhe ai mund të përpiqet t’i përçajë duke luajtur me dallimet mes tyre, pasi Kazakistani është anëtar i CSTO-së”, tha Baev. “Megjithatë, është tërësisht në interesin e tyre, si dhe brenda mundësive të tyre, ta prishin planin e tij jo fort të mençur”.