Super Liga Evropiane drejt kolapsit

Një person kalon pranë një panoje kundër Super Ligës.

Super Liga Evropiane kolapsoi para se të luhej ndeshja e parë në këtë garë evropiane, pasi gjashtë klube angleze dolën nga kjo ligë.

Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester United, Manchester City dhe Tottenham, gjatë mbrëmjes të së martës, pas një reagimi të ashpër të mbështetësve të tyre dhe pas paralajmërimeve të Qeverisë britanike se do të mund të prezantojë një legjislacion që do të ndalonte pjesëmarrjen e tyre në këtë ligë, shkruan Associated Press.

Super Liga është një projekt që është iniciuar nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez. Kësaj lige, po ashtu i janë bashkuar dy klube spanjolle, Barcelona dhe Atletico Madrid dhe klubet italiane Juventus, AC Milan dhe Inter Milan. Kjo ligë rivale me Ligën e Kampionëve, që udhëhiqet nga UEFA, u bë e paqëndrueshme pas largimit të gjashtë klubeve nga ligat më të pasura të botës.

Lexoni edhe këtë: Ekipet britanike tërhiqen nga "Super Liga", Johnson mirëpret vendimin

Super Liga fajësoi, për atë që e quajti, “presion” që i shtyri ekipet angleze të futbollit që të tërhiqeshin dhe insistoi se themelimi i kësaj lige ishte në përputhje me ligjin, duke shtuar se udhëheqësit e kësaj lige ende kanë shpresë se mund ta shpëtojnë atë.

“Marrë parasysh rrethanat e tanishme”, tha Super Liga në një deklaratë, “ne do të rishikojmë hapat më të përshtatshëm për ta riformësuar këtë projekt, gjithmonë duke pasur parasysh qëllimet tona, që është që t’u ofrojmë tifozëve eksperiencën më të mirë të mundshme, teksa rrisim pagesat e solidaritetit për të gjithë komunitetin e futbollit”.

Klubet angleze të futbollit u tërhoqën nga Super Liga pas thirrjes së presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin që të qëndrojnë në Ligën e Kampionëve, ligë në të cilën, kriter për t’u kualifikuar është performanca e një ekipi në ligën vendore.

“E thash dje se është e admirueshme kur e pranon gabimin dhe këto klube kanë bërë një gabim të madh”, tha Ceferin. “Por, ata tashmë janë tërhequr nga ky gabim dhe unë e di se ata kanë shumë për të ofruar, jo vetëm në garat tona, por për lojën evropiane në përgjithësi”.

“Tani është e rëndësishme që të lëvizim përpara, të rindërtojmë unitetin që loja kishte para kësaj”, tha ai.

Tifozët e Arsenalit vendosën këtë pano pranë stadiumit Anfiled për të kundërshtuar Super Ligën.

Pasi u bë e qartë se Chelsea dhe Manchester City po largoheshin nga Super Liga mbrëmjen e së martës, kapiteni i Liverpollit, Jordan Henderson dhe bashkëlojtarët e tij postuan një mesazh, duke bërë thirrje që ata të qëndronin në garat evropiane.

Liverpool, që është në pronësi të grupit të investimeve Boston Red Sox, përmes një deklarate, falënderoi të gjithë ata brenda dhe jashtë klubit për “kontributin e tyre” dhe njoftoi se ka marrë vendim që të qëndrojë në strukturat ekzistuese.

Futbollisti i Manchester United, Luke Shaw gjithashtu doli kundër vendimit të ekipit të tij që t’i bashkohej Super Ligës, pak minuta pas që ekipi i tij njoftoi se është tërhequr nga ky projekt.

“Ne kemi dëgjuar me kujdes reagimin nga tifozët tanë, Qeveria britanike dhe hisedarët e tjerë”, tha ky klub, që është në pronësi të familjes amerikane, Glazer. “Ne qëndrojmë të përkushtuar që të punojmë me të gjithë personat në komunitetin e futbollit që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për sfidat afatgjate me të cilat përballet kjo lojë”.

Biznesmeni amerikan, Stan Kroenke ka në pronësi klubin e Arsenalit. Modele të ngjashme, si Super Liga ka edhe në Amerikë, që besohet se u sjellin përfitime financiare pronarëve të klubeve.

Por, ideja për Super Ligën në futboll, nuk u mirëprit nga tifozët e klubeve angleze të futbollit.

“Kurrë nuk ka qenë qëllimi ynë që të shkaktojmë një shqetësim të tillë, megjithatë, kur morën ftesën për t’iu bashkuar Super Ligës, duke e ditur se nuk ka garancione, ne nuk dëshironim që të mbesnin mprapa dhe vendosëm të mbronim Arsenalin dhe të ardhmen e tij”, tha ky klub.

“Duke iu dëgjuar juve dhe komunitetin e gjerë të futbollit ditëve të fundit, ne vendosëm të tërhiqemi nga Super Liga. Ne kemi bërë gabim dhe iu kërkojmë falje”, tha klubi i Arsenalit përmes një deklarate.

“Ne e dimë se do të duhet kohë për të rifituar besimin tuaj, por të jemi të qartë, vendimi për t’iu bashkuar Super Ligës u nxit nga dëshira jonë për ta mbrojtur Arsenalin”, tha ky ekip.

Tottanhami po ashtu ka dhënë detaje se pse ka vendosur t’i bashkohej Super Ligës e më pas të tërhiqej nga ky projekt.

“Pendohemi për shqetësimin që kemi shkaktuar”, tha drejtori Daniel Levy. “Ne menduam se ishte e rëndësishme që klubi ynë të merrte pjesë në një strukturë të re, që kishte për qëllim të siguronte një ndarje më të barabartë financiare dhe qëndrueshmëri financiare, teksa ofronte mbështetje për futbollin. Ne besojmë se ne nuk duhet të qëndrojmë gjithmonë me një vend dhe se sporti gjithmonë duhet të rishqyrtojë garat dhe qeverisjen, në mënyrë që loja që ne e duam të gjithë të vazhdojë të evulojë dhe të gëzojë tifozët në mbarë botën”, thuhet në reagimin e Levyt.

Chelsea, që është në pronësi të miliarderit rus, Roman Abramovich, tha se ky ekip i ishte bashkuar Super Ligës javën e kaluar.

Protesta e tifozëve të ekipit Chelsea. 20 prill, 2021.

“Tani, ne kemi pasur kohë që ta shqyrtojmë në tërësi këtë çështje dhe kemi vendosur që pjesëmarrja në këtë ligë nuk është në interesin e klubit, tifozëve tanë, por edhe komunitetit të gjerë të futbollit”, tha Chelsea përmes një deklarate. Tifozët e këtij ekipi kishin protestuar kundër bashkëngjitjes së ekipit të tyre në Super Ligë.

Premier Liga kishte kërcënuar me sanksione gjashtë ekipet angleze që i ishin bashkuar Super Ligës dhe kryeministri Boris Johnson, madje kishte thënë se mund të krijohen ligje që do t’i ndalonte këto klube që të formojnë një garë të re evropiane në futboll.

Lexoni edhe këtë: BE: Super Liga kërcënon vlerat evropiane

Ndarjet në mesin e ekipeve që iu bashkuan Super Ligës u thelluan, ku menaxheri i Manchester City, Pep Guardiola tha se Super Liga do të dëmtonte integritetin dhe vlerat e sportit. Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp po ashtu kishte shprehur shqetësimet për vendimin e pronarëve të këtij ekipi, për t’iu bashkuar kësaj lige.

Premier Liga madje kishte kërcënuar gjashtë ekipet angleze se do t’i përjashtonte nga liga, nëse ato do të vazhdonin garat në Evropë. Të 14-të ekipet e tjera angleze, u takuan të martën dhe njëzëri refuzuan planet për Super Ligën.

Sekretari britanik për Kulturë, Oliver Dowden tha se pronarët e klubeve të futbollit krejtësisht kanë nënvlerësuar fuqinë e tifozëve të futbollit, futbollistëve “dhe të gjithë vendit”.

Qeveria britanike ka deklaruar se mund të krijojë një ligj si në Gjermani, ku tifozët kanë shumicën e të drejtës së votimit, me qëllim që klubet të mos kontrollohen nga investitorët privatë.

“Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodh më”, tha sekretari Dowden.

Klubi i Evertonit ka kritikuar ekipet që iu bashkuan Super Ligës, duke thënë se ato shfaqën “arrogancë”.

Deri më tani, ekipet italiane dhe ato spanjolle, që janë pjesë e këtij projekti të ri, nuk kanë dashur të komentojnë se a do të qëndrojnë në Super Ligë apo do të largohen.