Supremja refuzon të gjitha ankesat, hapet rruga për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të qershorit

Një grua duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 7 qershor në Prishtinë.

Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, duke hapur rrugën për certifikimin e tyre zyrtar dhe nisjen e procesit të themelimit të institucioneve të reja për t’i dhënë krizës pothuajse dyvjeçare politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet të mërkurën paradite për ta bërë certifikimin e rezultateve, njoftoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i komisionit, Valmir Elezi.

“Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, tha Elezi.

Ato do të certifikohen gati dy javë pasi KQZ-ja i shpalli rezultatet përfundimtare.

SHIKONI EDHE:

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të qershorit, hap rrugën për certifikimin e tyre

Sipas rezultateve përfundimtare, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i ka fituar 47.13% të votave, apo 53 vende në Kuvendin me 120 sosh.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44%, apo 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% , apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74%, apo shtatë ulëse.

Çfarë tani?

Tani që u hodhën poshtë ankesat, komisioni zgjedhor do t’i certifikojë rezultatet nesër deri në mesditë, duke i hapur rrugën nisjes së procesit të themelimit të institucioneve të reja.

Nga praktikat e kaluara, seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është thirrur zakonisht rreth tri ditë pas certifikimit të rezultateve.

Duke parë numrin e ulëse të fituara, partia në pushtet nuk pritet ta ketë telash formimin e Qeverisë, për çka nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.

Por, ajo nuk do t’i ketë votat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, një çështje që ka shkaktuar krizë politike këtë vit.

SHIKONI EDHE:

LVV thotë se i ka votat për Qeverinë, kërkon konsensus për presidentin

Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, i tha REL-it ditë më parë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Nagavcit, LVV-ja do “të bëjë gjithçka” që është në mandatin e saj që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

Partitë opozitare, si PDK, LDK dhe AAK nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment lidhur me konsultimet për formimin e institucioneve.

Por, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas zgjedhjeve kishte thënë se partia do të ishte e hapur për bisedime me të gjitha partitë, pa përjashtuar as LVV-në.

Nga LDK-ja – e cila në zgjedhje garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente – janë vendosur disa parakushte për një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një intervistë dhënë së voni për Klan Kosovën, tha se orientimi strategjik, përfshirë gazin amerikan “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.

SHIKONI EDHE:

Çfarë mund të humbë Kosova nëse s’i bashkohet projekteve të gazit amerikan?

“Para se të merremi vesh për presidentin, duhet të merremi vesh për orientimin e Kosovës, për politikat strategjike të sigurisë, për politikat zhvillimore dhe natyrën se si e zhvillojmë demokracinë në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, Aleanca ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja.

Kreu i kësaj partie, Adrian Gjini, ndër të tjera ka përmendur kushtin që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit - më pak se tre muaj pas konstituimit të tij - dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Deri tani partitë politike nuk kanë mbajtur bisedime për një marrëveshje të mundshme për presidentin.

Një dështim i radhës për të arritur pajtueshmëri për këtë post kryesisht ceremonial, mund të çojë në një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme – që do të ishin të katërta brenda dy vjetësh.