Gjykata Supreme e ka shfuqizuar si të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i detyronte shoqëruesit e pacientëve në spitalin më të madh publik të Kosovës të paguanin një tarifë prej 3 eurove për t'iu qëndruar atyre pranë.
Në një njoftim për media të mërkurën, gjykata tha se Ministria përmes këtij udhëzimi më 2024 kishte tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke e krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, dhe në kundërshtim me parimin e legalitetit.
Shumë kosovarë detyrohen t’i shoqërojnë të afërmit e tyre të sëmurë gjatë qëndrimit në spital, për shkak se sistemi shëndetësor vazhdon të përballet me trysi si pasojë e burimeve të kufizuara dhe emigrimit të stafit mjekësor.
Disa qytetarë me të cilët kishte folur Radio Evropa e Lirë në fund të shkurtit, ishin ankuar për barrë të dyfishtë, të kujdesit dhe të pagesës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
SHIKONI EDHE:
Të kujdesesh dhe të paguash: Barrë e dyfishtë për familjarët e pacientëve në QKUKMesatarisht, rreth 300 infermierë largohen çdo vit nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të pagave më të larta dhe kushteve më të mira të punës.
Me largime të tilla janë përballur edhe spitalet rajonale të Kosovës.
Largimet i kanë kufizuar kapacitetet e sistemit dhe ka rritur barrën mbi stafin e mbetur, por, në mënyrë indirekte, edhe mbi familjarët e pacientëve.
Vendimi i Supremes të mërkurën vjen pas një padie të ushtruar nga organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.
IKD-ja e kontestoi në gjykatë ligjshmërinë e dispozitave të udhëzimit administrativ përmes të cilave ishte përcaktuar pagesa prej 3 eurove për çdo ditë qëndrimi në spital për secilin shoqërues të pacientëve mbi moshën 15-vjeçare.
Në ankesë, IKD-ja kishte argumentuar se Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si mjet financiar që paguhet për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato shërbime, ndërsa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore, pasi ai nuk i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe nuk përfiton shërbime diagnostike, terapeutike apo rehabilituese.
SHIKONI EDHE:
Kujdes psikologjik i kufizuar në Onkologjinë e KosovësSupremja tha se, pas shqyrtimit të provave dhe të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, ka ardhur në përfundim se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.
Gjykata vendosi se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, pra jo edhe ndaj shoqëruesve të pacientëve.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në vendim.
Si është gjendja në spitalet e vendeve të BE-së?
Në shumicën e spitaleve në Evropë, familjarët kanë të drejtë t’i vizitojnë pacientët gjatë orareve të caktuara, ndërsa qëndrimi jashtë këtyre orareve kërkon leje të veçantë nga stafi mjekësor.
Shumë spitale kanë politika që lejojnë përfshirjen e familjarëve në kujdes, por kjo është kryesisht për mbështetje emocionale dhe komunikim, jo për zëvendësimin e stafit profesional.
Sipas një publikimi të Revistës Evropiane për Shëndetin Publik, rreth 52% e spitaleve evropiane kanë politika që lejojnë qasje të familjarëve edhe 24 orë, nëse pacienti dëshiron.