Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, njëkohësisht deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se partia e saj do të ketë "takim së shpejti" me Lidhjen Demokratike të Kosovë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit.
Këtë deklaratë, Haxhiu e bëri në një konferencë, pas një takimi që kishte thirrur me partitë politike parlamentare, siç ka thënë për t’u konsultuar në lidhje me daljen nga kriza politike “dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”.
Thirrjen e saj e refuzuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja dhe Aleanca, tri partitë më të mëdha parlamentare pas LVV-së, e cila i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Haxhiut, në takim ishin 11 liderë të partive të tjera politike parlamentare, përfshirë ato të minoriteteve etnike.
“Të gjitha subjektet [e pranishme] ishin të qëndrimit që duhet të kontribuojmë maksimalisht në zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Haxhiu.
Teksa paralajmëroi takim të ri mes LVV-së dhe LDK-së, ajo nuk saktësoi se kur do të ndodhë ai.
Haxhiu bëri thirrje që të gjitha partitë “të flasin me emra të përveçëm” për një president të mundshëm konsensual.
Më herët, LDK-ja kishte shprehur qëndrimin se nuk dëshiron marrëveshje politike për të ndarë pushtetin në qeveri, por se është e hapur për të diskutuar për një “figurë konsensuale për president”.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve, qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve, LVV, është që Kuvendi nuk duhet të konstituohet deri sa të arrihet një marrëveshje për presidentin.
Në anën tjetër, partitë që më herët ishin në opozitë e akuzojnë LVV-në për shkelje të Kushtetutës dhe për zvarritje të çështjes së konstituimit të Kuvendit, ndonëse i kanë numrat për ta bërë atë.
“Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci që një palë zgjedhje të reja mund të na bëjnë të merremi vesh nesër”, shtoi tutje Haxhiu, duke arsyetuar vonesën në konstituimin e Kuvendit.
Kriza institucionale në Kosovë ka vazhduar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në krye të shtetit.
LVV-ja fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Kuvendi i Kosovës, 18 gusht.
Nga Kuvendi, PDK dhe Aleanca kërkojnë konstituim
Rreth dy orë pas takimit të thirrur nga Haxhiu, të cilin e refuzuan, deputetët e PDK-së dhe Aleancës u mblodhën në sallën e Kuvendit, duke kërkuar që të thirret vazhdimi i seancës konstituive.
Kjo kërkesë po bëhet tash e disa ditë nga këto parti.
Besa Kabashi Ramaj, PDK.
Besa Kabashi-Ramaj, deputete e PDK-së, nga foltorja e Kuvendit tha se në vend se të nisin punën, nga Kuvendi po kërkojnë të funksionalizohen institucionet.
"Asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës", tha Kabashi-Ramaj, duke kritikuar LVV-në për, siç tha, "kapjen e institucioneve".
Në anën tjetër, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, përsëriti se janë të gatshëm të bashkëpunojnë për Presidentin, me kusht që të plotësohen gjashtë kërkesat e tyre, të paraqitura kohë më parë.
Deri më tani, LDK-ja nuk ka dalë me konfirmim publik se pritet të ketë takim me LVV-në.
Të hënën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një deklaratë për televizionin Dukagjini tha se refuzon takimin me Haxhiun, ndërsa tha se "mund të zhvillojnë takime vetëm me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti".