Katër të plagosur pas të shtënave në Podujevë

Një makinë e Policisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Katër persona janë plagosur në Podujevë pas një përleshjeje të armatosur në qendër të këtij qyteti, thanë autoritetet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se motivi i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje paraprake, ndërsa të dyshuarit kanë lidhje familjare.

“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare [nip dhe dajë], ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Tre nga të plagosurit ishin të përfshirë në të shtënat me armë zjarri, ndërkaq një tjetër ishte kalimtar rasti.

Të përfshirët në përleshjen e armatosur dyshohen për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, tha organ i ndjekjes.

Të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konfirmoi më herët gjatë ditës Enis Pllana nga Policia e Kosovës.

Ata kanë pësuar plagë të rënda, por gjendja e tyre shëndetësore "është stabile për momentin", tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

Të shtënat u raportuan në orën 13:30 të së enjtes.

Policia e Kosovës tha se po ndërmerre veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Në Kosovë llogaritet se në duart e qytetarëve janë mijëra armë zjarri pa leje.

SHIKONI EDHE:

Faktorët që po i kontribuojnë dhunës me armë zjarri dhe si parandalohet ajo

Ekspertët kanë argumentuar se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.