Thatësira në Danub nxjerr në sipërfaqe luftanije naziste
Njerëzit shikojnë rrënojat e një luftanijeje gjermane afër Prahovos, në Serbi më 13 gusht.
Anija është disa prej relikteve të Luftës së Dytë Botërore që janë zbuluar për shkak të rënies drastike të nivelit të ujit në Lumin Danub në mes të një thatësie të madhe.
Një grua eksploron luftanijen gjermane afër Prahovos më 13 gusht.
Fotografi Stefan Stojanoviq i tha Radios Evropa e Lirë se janë disa rrënoja të luftanijeve të epokës së Luftës së Dytë Botërore që tashmë janë të dukshme në qytetin lindor serb të Prahovos. Ai eksploroi një anije, që tha se ishte “pak e pasigurt” për të ecur në të. “Mund ta ndieni se si materiali përthyhet poshtë këmbëve tuaja”, shtoi ai.
Një tjetër anije gjermane që ka dalë mbi sipërfaqen e Danubit në Prahovo, e fotografuar më 13 gusht.
Anijet që po dalin mbi ujë afër Prahovos janë disa nga rreth 200 anije të Flotës së Detit të Zi të Gjermanisë që u fundosën më 1944. Fundosja e këtyre anijeve u urdhërua të bëhej në mënyrë që të shmangej që flota të binte në duart e ushtrisë sovjetike që po përparonte dhe me qëllim pengimin e lundrimit të tyre nëpër lumë.
Gjetkë, përgjatë Danubit, të tjera relikte lufte po ekspozohen. Kjo motoçikletë naziste u gjet në bregun e lumit afër ndërtesës së Parlamentit në Budapest. Motoçikleta kishte qenë nën ujë për më shumë se 80 vjet para se të dilte mbi sipërfaqe në fillim të gushtit.
Autoritetet në Hungari kanë raportuar se nivelit i ujit në Danub është më i ulëti i regjistruar ndonjëherë.
Afër motoçikletës, mbetjet mortore të dy ushtarëve nazistë u gjetën së bashku me etiketën e emrit të njërit prej tyre, ku shkruhej “Waffen SS”, si dhe një medalje për shërbim në Gadishullim Taman, që gjendet në Rusinë e sotme.
Një peshkatar duke lundruar pranë luftanijes gjermane në Prahovo më 13 gusht.
Disa anije të fundosura gjermane janë larguar viteve të fundit, me qëllim të lehtësimit të lundrimit, por puna është ndërlikuar pasi janë gjetur eksplozivë në disa prej anijeve.
Në gusht të vitit 2024, një ekip nga Qendra për Veprim kundër Minave e Serbisë gjeti këto municione të pashpërthyera teksa po tërhiqte një anije gjermane nga ujërat e Danubit afër Prahovos.
Brigjet e Danubit afër Novi Sadit më 7 gusht.
Disa eksplozivë të epokës së Luftës së Dytë Botërore janë zbuluar afër Novi Sadit pas thatësisë, përfshirë një mortajë dhe një bombë ajrore.
Kjo zonë dikur ishte nën ujë, por për shkak të thatësisë tani duket kështu. Budapest, 29 korrik.
Në Budapest, disa municione janë zbuluar në ditët e fundit, përfshirë një top që besohet se i përket shekullit të 19-të. Autoritetet në disa shtete përgjatë Danubit kanë paralajmëruar njerëzit që të mos prekin objekte të pazakonta dhe të telefonojnë policinë nëse gjejnë objekte ushtarake.