Nis qarkullimi i kamionëve nga Kosova drejt Malit të Zi

Kamionët bllokojnë rrugën në pikën kufitare të Batrovcit midis Serbisë dhe Kroacisë më 26 janar 2026, duke kërkuar ndryshime në sistemin e vizave të Bashkimit Evropian që kufizon kohën e tyre në BE.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë njoftoi se pas heqjes së bllokadave ka nisur qarkullimi i kamionëve në drejtim të Malit të Zi më 29 janar.

Njoftimi vjen pasi Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi tha se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, e cila ka prekur edhe bizneset në Kosovë.

Shoqata tha se pasi një takimi me përfaqësuesit e Qeverisë malazeze janë gjetur zgjidhje për një numër të konsiderueshëm problemesh dhe se për rrjedhojë ka filluar t’i tërheqë kamionët nga pikat kufitare, raporton Radio Televizioni i Malit të Zi.

"TVSH-ja po rimbursohet brenda afatit të përcaktuar me ligj. Kemi marrë garanci se periudha e transitit për mallrat e importuara nga Mali i Zi do të jetë 72 orë. Kemi marrë garanci se propozimi për përvojë pune preferenciale do t'i paraqitet Qeverisë për votim", u tha pas takimit.

Por, shoqata shtoi se problemi me akcizën e karburantit nuk është zgjidhur.

"Por, ne kemi marrë garanci se të gjitha temat kryesore me partnerët evropianë, përfshirë ETIAS dhe akcizën mbi naftën, do të diskutohen në mënyrë që të na stimulojnë. Rritja e orarit të punës së inspektorëve fitosanitarë do të zgjatet", theksuan përfaqësuesit e transportit.

Në këtë video mund t'i ndiqni reagimet e transportuesve rajonalë që po bllokojnë kufijtë me BE-në

Your browser doesn’t support HTML5

S’jemi as turistë, as kriminelë: Reagimet e transportuesve rajonalë që po bllokojnë kufijtë me BE-në

Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave të Malit të Zi i bllokoi kufijtë për mallra pranë nëntë pikave kufitare: Debeli Brijeg, Ilino Brdo, Vraçenoviq, Rançë, Metelkë, Dobrakovë, Draçenovc, Kullë dhe Bozhaj, si dhe hyrjen dhe daljen nga Porti i Tivarit.

Gjatë protestës, pasagjerët dhe kamionët që bartnin ilaçe, kafshë, eksplozivë dhe armë, u lejuan të kalonin.

Transportues nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja i bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Ata kërkojnë ndryshim të rregullores që përcakton se banorët e shteteve të treta mund të qëndrojnë në Zonën Schengen vetëm për 90 ditë në periudhën 180-ditore. Për ta, kjo periudhë është shumë e shkurtër dhe ua vështirëson punën.

Komisioni Evropian tha më parë se po punon për të gjetur një zgjidhje që do t'u lejonte transportuesve profesionistë të qëndronin më gjatë në zonën Shengen.

Transportuesit malazezë protestuan gjithashtu sepse Ministria e Financave nuk i ka pranuar kërkesat e tyre për të rritur shumën e rimbursimeve të akcizës për karburantet që kanë kolegët e tyre në rajon, dhe ata gjithashtu po kërkojnë një rimbursim më të shpejtë të TVSH-së në 30 deri në 60 ditë, sepse tani kanë vite që presin, si dhe të zgjasin punën e inspektimeve doganore dhe fitosanitare.

Bllokada prek edhe bizneset në Kosovë

Derisa transportuesit në Mal të Zi njoftuan përfundimin e bllokadës, kolegët e tyre nga tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë edhe duke protestuar.

Kosova, e cila nuk merr pjesë në protestë, po i ndien pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

SHIKONI EDHE: Bllokada e kufijve godet bizneset kosovare dhe rrit frikën për çmime më të larta

Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë (REL), përballen me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.

Pronarët e të paktën dy kompanive kosovare thanë se biznesi i tyre është prekur nga bllokada.

Ramiz Gashi, drejtues i kompanisë “Relux”, i tha REL-it të mërkurën se kompania e tij - e cila prodhon ngjyra dhe fasada, po përjeton pasoja të menjëhershme pasi produktet e saj për në Britani të Madhe nuk kanë mundur të nisen sipas planit.

“Ne mund ta humbim këtë blerës, që është potencialisht më i rëndësishmi që kemi”, theksoi Gashi për REL-in.

Ruzhdi Rexhaj nga kompania “Kalaja Epox” i tha REL-it se porosia e rrëshirave epokside nga një kompani austriake, tashmë e paguar dhe e ngarkuar, mund të vonohet ose të dështojë.

“Çfarë t’u themi klientëve? U kemi thënë tashmë se malli i porositur, ngarkohet më 27 janar dhe vjen deri në fund të javës. Tani, nuk e dimë se kur do të arrijë këtu, ndërkohë që kemi edhe projekte që i kemi filluar, duke shpresuar në këtë material”, tha Rexhaj.

Për më tepër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës iu drejtua me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se protesta njëjavore mund të shkaktojë pasoja të mëtejshme për kompanitë kosovare - përfshirë rrezikimin e kontratave me partnerët evropianë.