Trophylab: Qindra kompani të huaja sigurojnë qasje në hulumtimet mbi armët ruse të kapura në Ukrainë

Një platformë ukrainase që vë në dispozicion pajisje të kapura ushtarake ruse dhe koreanoveriore për "testime shkatërruese" dhe hulumtime të tjera, u ka dhënë qasje 376 kompanive dhe agjencive të huaja që nga krijimi i saj, tha një zëdhënës i nismës për Radion Evropa e Lirë (REL) më 14 tetor.

Platforma ukrainase Trophylab u prezantua në qershor si një "hapësirë e përbashkët për studimin e armëve të armikut", ku publikohen analiza praktike të armëve të sekuestruara, në dispozicion të subjekteve të miratuara ukrainase dhe të huaja. Sipas analistëve, interesi i madh ndërkombëtar për platformën mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në industrinë ruse të armëve.

Një faqe nga uebsajti i Trophylab rendit sistemet në dispozicion për hulumtime, përfshirë dronë dhe raketa ruse, si dhe raketën balistike KN-23A të Koresë së Veriut (lart, majtas).

Anna Harvey, hulumtuese në Këshillin Amerikan për Politikën e Jashtme, i tha REL-it se, përveç qëllimit të deklaruar të platformës për të ndihmuar në zhvillimin e kundërmasave ndaj armëve të veçanta ruse, ka gjasa që disa kompani që përdorin Trophylab të "kopjojnë teknologjinë ruse, duke u bazuar në mostrat e kapura nga Ukraina". Sipas saj, produkte të tilla të kopjuara mund të shndërrohen në "konkurrentë të drejtpërdrejtë të prodhuesve rusë që shesin në tregjet e huaja".

Harvey shtoi se subjektet e huaja që mund të kenë shqyrtuar blerjen e armëve nga Rusia tani mund të vlerësojnë "se si funksionojnë realisht këto sisteme në fushëbetejë", në vend që të mbështeten te specifikimet e publikuara nga Rusia.

Ushtarët ukrainas pozojnë pranë një sistemi vetëlëvizës artilerie të Rusisë, 2S19 Msta, të kapur në shtator të vitit 2022. Këta obusë vetëlëvizës janë ndër sistemet më të përparuara të artilerisë ruse dhe vlerësohen rreth 1.5 milion dollarë për njësi.

Trophylab disponon mostra të më shumë se 200 pajisjeve të kapura, përfshirë raketën hipersonike ruse Kinzhal, tankun T-90M dhe raketën balistike koreanoveriore KN-23. Subjektet që kanë qasje mund të aplikojnë për të marrë pajisje për testime fizike, deri në "shkatërrimin e plotë" të tyre, nëse është e nevojshme. Pas përfundimit, përdoruesit i ngarkojnë rezultatet e hulumtimeve në portal, ku ato kontrollohen për "përputhshmëri, origjinalitet dhe vlerë shkencore" përpara se të publikohen për të gjithë përdoruesit e platformës.

Menjëherë pas publikimit, aplikuesit për qasje në Trophylab ndaheshin në mënyrë të barabartë mes subjekteve ukrainase dhe atyre të huaja. Por, deri në gusht, platforma kishte pranuar rreth 130 aplikime nga Ukraina dhe më shumë se 300 nga jashtë vendit. Në atë kohë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës nuk bëri të ditur se sa prej aplikuesve ishin miratuar për qasje.

Zëdhënësi i Trophylab refuzoi të tregonte numrin e vendeve të huaja që aktualisht kanë qasje në platformën kërkimore, por organizata thotë se, në nivelin e agjencive qeveritare, qasja kufizohet te subjektet nga një listë prej 28 shtetesh që kanë nënshkruar marrëveshje sigurie dhe marrëveshje të tjera me Ukrainën.

Një tank i kapur gjerman Leopard 2A4 (majtas), i ekspozuar në një muze në Phenian, në prill. Në sfond shihet një automjet i blinduar Kirpi, i prodhuar në Turqi.

Ushtritë kanë shkëmbyer prej kohësh me aleatët, në nivel shtetëror, atë që njihet si "informacion teknik për armët", përfshirë edhe palët në konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë. Rusia, nga ana e saj, e ka furnizuar Korenë e Veriut me pajisje ushtarake të NATO-s, të kapura nga forcat ruse dhe të përdorura nga ushtria ukrainase. Po ashtu, raportohet se Moska i ka dërguar Teheranit armë të përparuara perëndimore.

Megjithatë, sipas personave të informuar për këtë çështje, demokratizimi i qasjes që mundëson Trophylab, përmes së cilës edhe kompanitë e vogla fillestare mund të përdorin të njëjtat të dhëna kërkimore si ministritë e mbrojtjes, ka gjasa të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e armëve në vendet që kanë qasje në këtë informacion.

Në një intervistë në korrik, gjeneralmajori australian në pension, Gus McLachlan, tha: "Ajo që po bën TrophyLab për herë të parë është vënia e hulumtimeve mbi armët e kapura gjerësisht në dispozicion të organizatave inovative, kompanive teknologjike dhe industrisë më të gjerë të mbrojtjes, në një mënyrë që nuk e kemi parë më parë".