Trump thotë se do ta shqyrtojë propozimin e fundit të Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke biseduar me gazetarët më 2 maj.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se së shpejti do të vlerësojë një propozim të ri për paqe të ofruar nga Teherani, por shtoi se “nuk mund ta imagjinoj” që ai të jetë i pranueshëm dhe aludoi për mundësinë e rifillimit të sulmeve ajrore ndaj Iranit.

“Shumë shpejt do ta shqyrtoj planin që Irani sapo na ka dërguar, por nuk mund ta imagjinoj se do të jetë i pranueshëm, pasi ata ende nuk kanë paguar çmim mjaftueshëm të madh për atë që i kanë bërë njerëzimit dhe botës gjatë 47 vjetëve të fundit”, shkroi ai në Truth Social më 2 maj.

Ai më herët u tha gazetarëve se ishte informuar për konceptin bazë të ofertës së Teheranit, por po priste që bashkëpunëtorët e tij ta njoftonin për detajet, duke aluduar për mundësinë e rifillimit të sulmeve nëse Irani “sillet keq”.

“Ata [bashkëpunëtorët e SHBA-së] më treguan për konceptin e marrëveshjes. Tani do të më japin formulimin e saktë”, tha ai teksa u nis me aeroplan drejt Miamit nga Florida, ku kalon shumicën e fundjavave.

I pyetur nëse mund të rifillojë sulmet ndaj Iranit, Trump tha: “Nuk dua ta them këtë. Nuk mund t’ia them këtë një gazetari. Nëse ata sillen keq, nëse bëjnë diçka të gabuar, do të shohim tani. Por, është një gjë që mund të ndodhë”.

SHIKONI EDHE:

Zyrtari iranian thotë se lufta me SHBA-në “me gjasë” do të rinisë

Disa orë para këtij deklarimi të Trumpit, një zyrtar i lartë iranian dha detaje për një propozim paqeje të dorëzuar nga Teherani, duke thënë se ai përbëhej nga 14 pika, përfshirë shumë prej tyre që tashmë janë refuzuar nga udhëheqësi amerikan.

Propozimi i Teheranit përfshin kushte, për të cilat është raportuar më herët, që parashikojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, ndërsa bisedimet për programin bërthamor të Iranit, sipas propozimit do të liheshin për më vonë.

Kushtet e tjera iraniane përfshijnë tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth Iranit, lirimin e aseteve iraniane të ngrira, pagesën e kompensimeve për dëmet e luftës, heqjen eventuale të sanksioneve ndaj Teheranit dhe përfundimin e të gjitha luftimeve, përfshirë edhe në Liban.

Trump, i cili më 1 maj tha se “nuk ishte i kënaqur” me propozimin më të fundit të Teheranit, ka këmbëngulur vazhdimisht se Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore dhe duhet të heqë dorë nga rezervat e tij të uraniumit, tashmë të pasuruar.

Ai ka deklaruar po ashtu se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane nuk do të përfundojë deri sa të finalizohet një marrëveshje paqeje.

SHIKONI EDHE:

Si mund të ndikojë bllokada amerikane në llogaritjet strategjike të Teheranit?

Teksa Trump shpesh ka deklaruar se Irani po kërkon me ngulm një marrëveshje paqeje, ai ka thënë gjithashtu se mund të rifillojë fushatën ajrore kundër objektivave iraniane – përfshirë edhe infrastrukturën civile – nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Trump, në një fjalim më 1 maj, tha se SHBA-ja nuk do ta përfundojë përballjen me Iranin herët vetëm që “problemi të rishfaqet pas tre vjetësh”.

“Në këtë moment nuk jam i kënaqur me atë që po ofrojnë”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se udhëheqja iraniane duke u përballur me “mosmarrëveshje të mëdha” të brendshme.

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani – një rrugë ujore kyç përmes së cilës kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror para luftës – ka rritur çmimet e energjisë në nivel global, duke krijuar rrezik për recesion në shumë vende dhe duke ushtruar presion politik mbi Trumpin.

Në prill, SHBA-ja vendosi bllokadën e saj ndaj anijeve që vinin nga portet iraniane, teksa njëkohësisht u pajtua për një armëpushim që hyri në fuqi më 8 prill, duke ndërprerë sulmet që SHBA-ja dhe Izraeli nisën ndaj Iranit në fund të shkurtit.