Trump: Teherani mund ta kontaktojë SHBA-në nëse dëshiron negociata

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Teherani “mund të na thërrasë” nëse dëshiron negociata, mirëpo ka shtuar se iranianët fillimisht duhet të heqin dorë nga planet për të krijuar armë bërthamore, në të kundërtën “nuk ka arsye për takim”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njëherësh kryenegociator i Iranit, ka arritur në Shën Petersburg, ku pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, meqë bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani, vazhdojnë të jenë të mjegulluara.

“Nëse dëshirojnë të negociojnë, mund të vijnë te ne, apo mund të na thërrasin. Ekziston telefoni. Kemi linja të mira, të sigurta”, ka thënë Trump për televizionin Fox në 26 prill.

“Ata e dinë se çfarë duhet të ketë në marrëveshje. Është shumë e thjeshtë. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore, në të kundërtën nuk kemi asnjë arsye për t’u takuar”, ka thënë Trump.

SHIKONI EDHE:

Epilogu i konfliktit në Iran "do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë"

Teherani ka insistuar gjithmonë që programin bërthamor e ka vetëm për qëllime civile, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se përpiqet që fshehurazi të ndërtojë armë bërthamore.

Trump i ka kërkuar Teheranit që ta ndalë programin e pasurimit të uraniumit, që mund të përdoret për të krijuar bombë dhe që vendi tashmë e ka tejkaluar furnizmimin e tij me këtë mineral, mirëpo Irani insiston se diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Agjencia e lajmeve Axios ka raportuar më 26 prill se Teherani, duke punuar me ndërmjetës pakistanezë, ua ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara propozimin e ri që parasheh se Ngushtica e Hormuzit të rihapet dhe të hiqet bllokada amerikane në portet iraniane, ndërsa negociatat për programin bërthamor të Iranit të mbahen më vonë.

Në këtë material janë cituar një zyrtar amerikan dhe dy burime të afërta me këto zhvillime.

Anulohet rundi i dytë i negociatave

Një rund i dytë i negociatave pritej të mbahej përgjatë fundjavës në Pakistan, mirëpo pasi Teherani bëri të ditur se ekipi i tij nuk po planifikon të takohet me negociatorët amerikanë, Trump deklaroi se e kishte anuluar udhëtimin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff dhe dhëndërit të Trumpit, Jared Kushner në Islamabad.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump ka sugjeruar se negociataorët iranianë ishin në konflikt me autoritetet vendore.

“Shumë kohë e humbur në udhëtime, shumë punë! Përveç kësaj, ka shumë grindje dhe mospajtime mes udhëheqësisë së tyre”, ka thënë ai.

Araqchi, i cili bashkë me kryetarin e Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, e kanë udhëhequr rundin e parë të bisedimeve në Pakistan më 11-12 prill, është në krye të përpjekjeve diplomatike me qëllim të rritjes së mbështetjes për Iranin.

SHIKONI EDHE:

Trump nuk sheh “dallime të mëdha” me Iranin, Qalibaf e akuzon për “gënjeshtra”

Pasi ka udhëtuar në Pakistan, Araqchi ka shkuar edhe në Oman, ku ka tentuar t’ua mbushë mendjen liderëve atje për një taksë për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit – pavarësisht se diçka e tillë është duke u refuzuar nga pjesa më e madhe e botës.

“Diskutime të rëndësishme në çështjet bilaterale dhe zhvillimet rajonale. Si shtetet e vetme bregdetare të Hormuzit, fokusi ynë përfshinte mënyra për të siguruar tranzit të sigurt që është në dobi të të gjithë fqinjëve të dashur”, ka shkruar ai përmes një postimi në X – dikur Twitter.

SHIKONI EDHE:

A po kryen punë bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit?

Araqchi është kthyer më pas në Pakistan, pasi se të nisej për në Rusi, në orët e hershme të 27 prillit, për të biseduar me Putinin. Irani dhe Rusia janë subjekte të sanksioneve të ashpra perëndimore, dhe njihen për aleancën e fortë politike dhe ushtarake që kanë ndërtuar së bashku.

Ambasadori i Teheranit në Moskë, Kazem Jalali, ka shkruar në X se Araqchi do të takohet me Putinin gjatë vizitës së tij në Rusi. Edhe zyrtarët rusë i kanë konfirmuar planet e Putinit që të takohet me kryediplomatin e Iranit.

Luftimet në Liban

Teksa armëpushimi në mes të SHBA-së dhe Izraelit me Iranin duket se po zbatohet, armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit, ndonëse zyrtarisht i arritur, duket se nuk po jetësohet.

Zyrtarët e Libanit kanë thënë se nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 14 persona dhe janë plagosur 37 të tjerë më 26 prill, pasi ushtria izraelite i ka paralajmëruar banorët që të largohen nga shtatë qyteza përtej zonës që është duke e pushtuar.

Ushtria izraelite e ka akuzuar grupin militant Hezbollah – të lidhur me Iranin – për shkeljen e armëpushimit dhe është zotuar se do të përgjigjet.

Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë vetëm krahun ushtarak, dhe jo atë politik.

Përgatiti: Krenare Cubolli