Trump thotë se një marrëveshje për Ukrainën është “më afër se kurrë”

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas kanë thënë se kanë arritur përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve të zhvilluara më 15 dhjetor, me qëllim të përfundimit të luftës së nisur nga Rusia në tokën ukrainase, teksa Uashingtoni raportohet t’i ketë ofruar Kievit garanci të sigurisë të modelit të Artikullit 5 të NATO-s.

Ndonëse ende ka pikëpyetje për çështje me rëndësi, përfshirë fatin e territorit që Kievi vazhdon ta kontrollojë në rajonin lindor Donjeck, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se duket që një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore është më afër se kurrë.

“Po përpiqemi ta finalizojmë, besoj se jemi më afër tani”, u ka thënë Trump gazetarëve në Zyrën Ovale më 15 dhjetor pasi delegacionet amerikane, evropiane dhe ukrainase kanë zhvilluar disa ditë negociata në Berlin.

“Kemi zhvilluar disa biseda me presidentin [rus, Vladimir] Putin të Rusisë dhe besoj se jemi më afër se kurrë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë”.

Trump e ka përmendur se ka biseduar së fundmi me presidentin rus, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

SHIKONI EDHE: Zelensky thotë se Donbasi vazhdon të jetë pengesë mes trysnisë për një marrëveshje për paqe

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenky ka thënë se bisedimet kanë qenë të vështira, por të dobishme dhe që shefi i tij negociator, Rustem Umerov ka thënë se ka pasur “përparim real” në Berlin me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, që kanë qenë pjesë e delegacionit amerikan.

“Këto biseda nuk janë gjithmonë të lehta, do të jem i sinqertë me ju. Por ka qenë bisedë produktive, me shumë hollësi, me të vërtetë shumë”, ka thënë Zelensky në një forum bizensor gjermano-ukrainas që është mbajtur pas takimit SHBA-Ukrainë.

Në një konferencë për media të zhvilluar më vonë nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, Zelensky ka thënë se palët “kanë dallime” sa u përket territoreve, dhe që çështja “nuk është mbyllur”.

“Çështja territoriale është e dhimbshme. Ne e dimë 100 për qind çfarë dëshiron Rusia, dhe është shumë me rëndësi që amerikanët më kanë dëgjuar në këtë drejtim”, ka thënë Zelensky.

“Unë besoj që amerikanët, si ndërmjetësues, do të analizojnë mënyra të ndryshme si t’i zgjidhin këto çështje”, përfshirë territorin dhe ndarjen e fondeve për rindërtim të Ukrainës.

SHIKONI EDHE: Çfarë është Komisioni për Kompensim për Ukrainën?

Zelensky i ka refuzuar propozimet që kërkojnë nga Kievi të heqë dorë nga një pjesë e rajonit të Donjeckut, që ende e ka nën kontroll. Dhe ai ka sugjeruar që nëse Ukraina duhet të largohet nga vija e frontit në Donbas, atëherë edhe forcat ruse duhet të veprojnë njëjtë.

Rusia, në anën tjetër, insiston në koncesione territoriale, duke kërkuar gjithë rajonin ukrainas të Donbasit. Nëse nuk ndodh ashtu, Putini ka thënë se rusët do ta marrin atë rajon me forcë.

Kancelari Merz ka thënë se tani është shansi më i madh për proces të paqes prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022 dhe që Shtetet e Bashkuara kanë bërë kontribut të madh për garanci të sigurisë për Ukrainën.

Një grup prej shtatë shteteve të Bashkimit Evropian, liderët e BE-së dhe Zelensky e kanë publikuar një deklaratë të përbashkët duke thënë se mbështesin një ushtri ukrainase prej 800.000 trupash, një forcë multikombëtare të udhëhequr nga evropianët dhe një mekanizëm të udhëhequr nga amerikanët për monitorim dhe verifikim për të zbatuar një armëpushim eventual.

Ndërkohë, shumë agjenci të lajmeve i kanë cituar zyrtarët amerikanë të kenë thënë se propozimet e diskutuara në Berlin i ngjasojnë Artikullit 5 të NATO-s.

Ky artikull parasheh që sulmi ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare të aleancës.

Uashingtoni nuk ka dhënë hollësi se si do t’i ofrojë garancitë e sigurisë, ndonëse ka pasur zyrtarë që kanë thënë se një ofertë e tillë nuk do të jetë përgjithmonë në tavolinë.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ka thënë më 15 dhjetor se heqja dorë e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO është “gurthemel” për një marrëveshje për paqe në sytë e Kremlinit, dhe që Rusia prej të dëgjojë nga zyrtarët amerikanë se çfarë është diskutuar në Berlin, pasi Moska nuk ka qenë e përfshirë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.