Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar Brazilin për “gjueti shtrigash” kundër aleatit të tij të krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, duke u kërkuar autoriteteve braziliane që të mos e shqetësojnë Bolsonaron.
“E kam shikuar, ashtu sikurse bota, që nuk kanë bërë asgjë përveçse e kanë përndjekur, ditë pas dite, natë pas nate, muaj pas muaji, vit pas viti”, ka thënë Trumpi për rastin gjyqësor të ish-presidentit të Brazilit.
Bolsonaro është duke u përballur me Gjykatën Supreme të Brazilit nën dyshimet se ka udhëhequr “organizatë kriminale”, e cila ka kryer komplot për puç për ta mbajtur atë në pushtet pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022, të cilat i ka fituar Luiz Inacio Lula da Silva, i krahut të majtë.
Sipas prokurorëve, tentimet për puç nuk janë jetësuar për shkak të mungesës së mbështetjes të komandës së lartë ushtarake.
SHIKONI EDHE: Policia braziliane akuzon ish-presidentin Bolsonaro për tentim grusht shtetiBolsonaro mund të përballet me 40 vjet burgim, nëse shpallet fajtor.
Ai pretendon se është viktimë e “persekutimit politik” për t’ia parandaluar garën për president vitin tjetër, pavarësisht se i është ndaluar gara deri më 2030 për shkak të përhapjes së dezinformatave për sistemin zgjedhor.
Komentet e Trumpit kanë ardhur teksa Lula është nikoqir i përfaqësuesve të Kinës, Rusisë, Iranit dhe kombeve tjera për një samit të BRICS-it në Rio de Zhaneiro.
Në samit janë kritikuar tarifat e Trumpit dhe bombardimet në Iran, çka ka nxitur presidentin amerikan të kërcënojë me tarifa shtesë prej 10 për qind për secilin shtet anëtar të BRICS-it.
SHIKONI EDHE: Kush e përbën BRICS-in dhe si krahasohet ai me pjesën tjetër të botës?