Kur një grup prej 15 migrantësh me “rroba të njollosura dhe të mbuluara me pluhur” u hasën duke lëvizur nëpër një pyll në juglindje të Letonisë më 10 gusht, rojet kufitare fillimisht nuk mundën të përcaktonin se nga ku kishin dalë.
Pas marrjes në pyetje të migrantëve, një patrullë kufitare pikasi daljen e një tuneli të mbuluar me shkurre, vetëm 10 metra larg gardhit kufitar të Letonisë me Bjellorusinë.
Dalja e një tuneli të zbuluar afër gardhit kufitar me Bjellorusinë në juglindje të Letonisë më 11 gusht.
Ky kalim nëntokësor ishte tuneli i parë i migrantëve i zbuluar në Letoni, por ai është vetëm i fundit në një seri tunelesh të hapura në territorin e BE-së gjatë muajve të fundit. Autoritetet kufitare thonë se Bjellorusia nuk ka ndërmarrë hapa për të ndaluar hapjen e tuneleve, madje as kur u janë paraqitur të dhëna në kohë reale për ndërtimin e tyre.
Lina Laurinaityte, zëdhënëse e Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Lituanisë, i tha Radios Evropa e Lirë se “në disa raste, pasi [rojet kufitare të Lituanisë] i kanë informuar autoritetet bjelloruse për ndërtimin e tuneleve dhe u kanë dhënë informacion për vendndodhjen e tyre, pala bjelloruse ka mohuar se po zhvillohej ndonjë aktivitet i tillë”.
Ajo tha se përgjigjja e Bjellorusisë ka qenë se vendndodhja e treguar është kontrolluar dhe se nuk kanë gjetur asgjë, “pavarësisht se [rojet kufitare të Letonisë] kanë prova të qarta për ndërtimin e tunelit”.
Laurinaityte shtoi se autoritetet e shtetit të saj nuk kanë prova se Bjellorusia është e përfshirë drejtpërdrejt në ndërtimin e tuneleve.
Migrantë duke dalë nga një tunel dhe duke hyrë në territorin e Lituanisë në prill të vitit 2026.
Pas rritjes së numrit të migrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme, që u përpoqën të kalonin nga Bjellorusia në BE, gjë që arriti kulmin në fund të vitit 2021, fqinjët perëndimorë të Bjellorusisë - Polonia, Letonia dhe Lituania - ngritën gardhe kufitare, të cilat fillimisht e zbutën krizën.
Tuneli i parë i migrantëve nga Bjellorusia u zbulua në Poloni në shtator të vitit 2025, ndërsa patrullat polake zbuluan disa tunele të tjera më vonë gjatë atij viti, përfshirë një tunel përmes të cilit rreth 180 migrantë hynë në këtë shtet.
Lituania ka regjistruar 12 përpjekje për të hapur tunele drejt territorit të saj që nga fillimi i vitit 2026. Mediat në këtë vend raportuan se një roje kufitare u plagos gjatë një incidenti në jug të Lituanisë më 27 korrik, kur një grup migrantësh që kishin dalë nga një tunel u përpoqën ta “tërhiqnin atë drejt territorit bjellorus”.
Drunj që janë përdorur për të ndërtuar një tunel për në territorin e Lituanisë.
Imazhet e publikuara nga autoritetet kufitare e Lituanisë tregojnë kalime nëntokësore të papërfunduara që nisin nga Bjellorusia dhe janë përforcuar me copëza druri, të ngjashme me ato që përdoren në miniera.
Zëvendësministri i Brendshëm i Polonisë, Czeslaw Mroczek, në një intervistë dhënë dhjetorin e vitit 2025 pretendoi se Minsku kishte sjellë “specialistë” nga Lindja e Mesme, me përvojë në hapjen e tuneleve nëntokësore, për të gërmuar drejt territorit të vendit të tij.
Autoritetet kufitare polake nuk pranuan të komentojnë për REL-in lidhur me këtë pretendim.
Migrantë që u kapën nga autoritetet kufitare polake pasi pothuajse 180 shtetas të Pakistanit dhe Afganistanit dolën nga një tunel afër Narevkës në dhjetor të vitit 2025.
Jolanta Babisko, zëdhënëse e Rojës Shtetërore Kufitare të Letonisë, i tha REL-it se ka “arsye të bazuara për të dyshuar se nga brenda Bjellorusisë po ofrohet mbështetje” për hapjen e tuneleve drejt territorit të BE-së.
“Qasja në zonën në anën bjelloruse, brenda disa qindra metrave nga kufiri, është e kufizuar dhe vetëm rojet kufitare që kryejnë detyrat e tyre zyrtare lejohen të qëndrojnë atje”, tha ajo.
Udhëheqësi bjellorus, Aleksandr Lukashenko, ka fajësuar Brukselin për migracionin masiv, ndërsa ka lënë të kuptohet se do t’u përgjigjej sanksioneve të bllokut evropian, duke mos i ndaluar migrantët që përpiqen të hyjnë në BE.
“Djem, ne nuk do t’ju mbrojmë. Nuk do t’i kapim [migrantët] në kufi siç bënim më parë”, tha ai në një konferencë në tetor të vitit 2024.
Një tunel që është përdorur nga migrantët për të hyrë në Poloni nga Bjellorusia. Ky tunel u zbulua afër Narevkës në Poloni në dhjetor të vitit 2025.
Laurinaityte tha se autoritetet kufitare të Lituanisë kanë bashkëpunuar me homologët e tyre polakë për zbulimin e tuneleve dhe synojnë të blejnë pajisje shtesë teknike, që të afta për të zbuluar aktivitetin nëntokësor.
“Për arsye të sigurisë operacionale, nuk mund të japim detaje për teknologjitë specifike që përdoren”, shtoi ajo.