Turqia arreston 357 anëtarë të dyshuar të IS-it

Një polic në Yalova të Turqisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Forcat e sigurisë të Turqisë kanë arrestuar 357 persona gjatë operacioneve në mbarë shtetit kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.

“Gjatë operacioneve të zhvilluara këtë mëngjes nga forcat tona të policisë në 21 provinca, kemi arrestuar 357 persona që dyshohet se janë të lidhur me IS-in”, tha Yerlikaya në X.

“Ne asnjëherë nuk u kemi dhënë mundësi atyre që përpiqen ta gjunjëzojnë shtetin përmes terrorizmit”.

Më 29 dhjetor, tre zyrtarë policorë u vranë gjatë një operacioni kundër grupit në Yalova, në veriperëndim të Turqisë.

SHIKONI EDHE: Turqia arreston 115 pjesëtarë të dyshuar të IS-it që “planifikonin sulme për Vitin e Ri”

Përplasja, e cila zgjati disa orë, la të vdekur edhe gjashtë anëtarë të dyshuar të IS-it, të gjithë shtetas të Turqisë.

Javën e kaluar, Prokuroria e Stambollit urdhëroi arrestimin e 137 personave, nën dyshimet se ishin anëtarë të IS-it, pasi tha se “informacionet e inteligjencës treguan se organizata terroriste, Shteti Islamik, po planifikonte sulme gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Turqia ndan një kufi prej 900 kilometrash me Sirinë, ku ky grup mbetet aktiv.