Autoritetet turke kanë lëshuar 47 fletarrestime për zyrtarët e komunës dhe stafit të Stambollit, kryetari i të cilit – rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan – është në burg që nga marsi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu më 31 maj.
Fletarrestimet bazohen “në katër hetime të ndara për korrupsion në Stamboll”, raportoi Anadolu, pa dhënë informacione se sa njerëz janë paraburgosur.
Arrestimi më 19 mars i kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nxiti protestat më të mëdha në Turqi në dekadat e fundit.
SHIKONI EDHE:
Turqia burgos disa zyrtarë të StambollitImamoglu: Erdogani e ka shndërruar Turqinë në “republikë frike”Qindra mijëra njerëz protestojnë në Stamboll kundër arrestimit të ImamoglutPolicia turke veçse ka arrestuar pothuajse 70 persona në bastisjet që ndodhën lidhur me dyshimet për korrupsion në Komunën e Stambollit. Në mesin e të arrestuarve janë edhe sekretari privat i Imamoglut dhe roja e tij private.
Sipas Anadolu, fletarrestimet e fundit shënjestrojnë një ish-ligjvënës opozitarë dhe pesë kryetarë të qarqeve të Stambollit.
Televizioni privat, Halk, që shihet si e afërt me Partinë Popullore Republikane (CHP) të Imamoglut, tha se kryetarët e nëntë qarqeve – nga 39 qarqe gjithsej – janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim.
CHP, që e ka nominuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nuk ka komentuar ende për fletarrestimet e fundit.