Ukraina dënon me 12 vjet burgim pilotin rus

Fotografi ilustruese.

Një gjykatë në Ukrainë ka dënuar me 12 vjet burgim oficerin e Forcave Ajrore Ruse, Aleksei Loboda, me akuzën për shkelje të ligjeve të luftës.

Kështu tha më 3 mars Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Kjo zyrë tha se bombardimi i Lobodës ndaj objektivave civile në lindje të Ukrainës, rajoni i Harkivit, në mars të vitit 2022, kishte shkatërruar një qendër transmetimi që nuk ishte përdorur për asnjë aktivitet ushtarak.

Piloti rus u kap pas rrëzimit të avionit të tij nga forcat e armatosura ukrainase.

Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë të formuara nga gjykatat ndërkombëtare thonë se palët e përfshira në një konflikt ushtarak duhet të bëjnë dallimin midis "objekteve civile dhe objektivave ushtarake", dhe se sulmet ndaj objekteve civile janë të ndaluara.

Ky ndalim është i kodifikuar edhe në Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila në fillim të këtij viti hapi një hetim për krime të mundshme lufte në Ukrainë.

Pushtimi rus i Ukrainës: Një vit nëpër foto

Kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, ajo shkaktoi konfliktin më të madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky konflikt përmbysi jetët e miliona njerëzve dhe shkaktoi shkatërrim në masë, i cili po vazhdon edhe sot.