Një person është vrarë dhe tre të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën gjatë sulmeve ukrainase me dronë në rajonin e Samaras të Rusisë, tha guvernatori rajonal, Vyacheslav Fedorishchev, më 12 korrik.
Ndërtesa banimi dhe një objekt industrial u dëmtuan nga sulmet, pretendoi Fedorishchev përmes një postimi në Telegram, pa dhënë hollësi të tjera.
Media e pavarur ruse Astra, duke iu referuar fotografive dhe videove të publikuara në rrjetet sociale, raportoi se objekti industrial i goditur ishte rafineria e naftës në Sizran. Pamjet, sipas Astras, shfaqën disa zjarre të mëdha që kishin përfshirë kompleksin.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më pas e konfirmoi sulmin, duke thënë se në rafineri ka pasur shpërthime dhe zjarre. Ai gjithashtu pretendoi se sulmet me dronë goditën 10 cisterna nafte dhe katër tragete në Detin Azov.
Ushtria ruse njoftoi të dielën në mëngjes se ka rrëzuar 349 dronë ukrainas gjatë natës, teksa ditëve të fundit palët kanë intensifikuar sulmet ndaj njëra-tjetrës.
Ukraina e ka shënjestruar disa herë rafinerinë e Sizranit. Pas një sulmi të mëparshëm në fund të majit, kjo uzinë, e cila ka një kapacitet përpunimi prej rreth 8.5 milionë tonësh në vit, u detyrua të pezullonte operacionet.
*Video: Rusët përleshen fizikisht në pompat e derivateve mes krizës me karburante
Your browser doesn’t support HTML5
Përleshje fizike në pompat e derivateve në Rusi mes krizës me karburante
Rafineria, në pronësi të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, prodhon benzinë, naftë dhe kerozinë.
Rusia po përballet me mungesa të karburantit, pasi sulmet e vazhdueshme ukrainase ndaj infrastrukturës së saj të përpunimit të naftës kanë ndërprerë prodhimin. Pikat e karburantit kanë nisur ta kufizojnë furnizimin, ndërsa shoferët e automjeteve shpesh presin në radhë të gjata për të mbushur makinat e tyre.
Kievi prej muajsh po e zhvillon fushatën e sulmeve ndaj sektorit energjetik rus, në përpjekje për t'i bërë presion presidentit rus, Vladimir Putin, i cili urdhëroi nisjen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, që të pranojë të ulet për të negociuar.
Moska ka deklaruar se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë dorëzimin e territoreve ukrainase, përfshirë zonat që forcat ruse nuk i kanë pushtuar.