Shpërthime janë dëgjuar në qendër të kryeqytetit ukrainas Kiev, në orët e para të 14 dhjetorit, tha kryetari i qytetit.
Vitali Klitscho tha se shpërthimet kanë goditur qarkun Shevçenkivski dhe shërbimet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore janë funksionalizuar.
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar pak kohë pas lëshimit të sirenave paralajmëruese për sulme ajrore, raporton BBC.
Që nga muaji tetor, Rusia vazhdimisht ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë ukrainase.
SHIKONI EDHE: SHBA: Rusia dhe Irani, drejt partneritetit të plotë ushtarakMë vonë, kreu i qytetit të Kievit, Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 10 dronë Shahed, të prodhimit iranian.
Autoritetet ushtarake në qytetin e Kievit thanë se fragmente të një droni kanë goditur dy ndërtesa administrative që gjenden në qendër të qytetit. Ende nuk dihet nëse ka viktima.
Ukraina e ka akuzuar Iranin se po e furnizon Rusinë me dronë “kamikazë” që janë përdorur fillimisht në sulmet vdekjeprurëse të 17 tetorit. Por, Teherani fillimisht kishte mohuar këto akuza.
Më vonë, Irani pranoi se i ka dërguar Moskës një numër të kufizuar të dronëve “shumë muaj” para se të niste lufta më 24 shkurt.
SHIKONI EDHE: Dronët kamikazë që terrorizojnë qytetet e UkrainësNë përgjigje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se këto janë gënjeshtra dhe se shumë dronë iranianë po përdoren për të sulmuar shtetin e tij.
Guvernatori i Kievit, Kuleba, tha se “sistemi i mbrojtjes ajrore po operon. Është e rëndësishme që banorët të qëndrojnë në strehimore dhe në vende të sigurta. Rusia po vazhdon terrorin e saj të energjisë kundër shtetit tonë. Por, ne dita-ditës po bëhemi më të fortë”.
Për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, shumë ukrainas po përballen me reduktime të energjisë.