Ura e Krimesë dëmtohet rëndë, teksa Ukraina dhe Rusia këmbejnë sulme

Pasojat e sulmit në Urën e Krimesë. 17 nëntor 2026

Ukraina goditi urën e Krimesë të Rusisë me dronë dhe raketa më 17 nëntor, njoftoi presidenti Volodymyr Zelensky, duke dëmtuar rëndë të vetmen lidhje të drejtpërdrejtë rrugore dhe hekurudhore mes Rusisë dhe gadishullit të pushtuar që gjendet në Detin e Zi.

Pamjet pas sulmit sugjeruan se një segment prej 227 metrash i harkut të urës rrugore ishte shembur në Ngushticën e Kërçit, e cila lidh Detin Azov me Detin e Zi. Edhe harku i urës hekurudhore pësoi dëme.

Zelensky tha se forcat ukrainase përdorën disa lloje dronësh dhe raketash, përfshirë raketën Flamingo, të prodhuar në Ukrainë, për të goditur urën.

“Sot, të gjithë mund t’i shohin pasojat për kalimin kryesor ushtarak nga territori rus në Krimenë tonë, ukrainase”, shkroi Zelensky në një postim në rrjetet sociale.

“Po ashtu, po ia kujtojmë Rusisë se lufta gjithmonë do të kthehet aty ku ka nisur. Kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës janë të fuqishme dhe do të mbeten të tilla, ndërkaq ne kurrë nuk do t’i lëmë pa përgjigje aktet e terrorit kundër qyteteve dhe popullit tonë”, shkroi ai, duke shtuar se Kievi i ka “ofruar vazhdimisht Rusisë hapa drejt uljes së tensioneve”.

SHIKONI EDHE:

Efektet e sulmeve ukrainase në Krime: Pa naftë, pa rrymë, pa turistë

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Yevheniy Khmara, vlerësoi se sulmi ishte përgjigje e Kievit ndaj sulmeve ruse kundër infrastrukturës kritike civile të Ukrainës.

“Që nga 1 tetori, Federata Ruse i ka sulmuar 12 herë urat e Kievit mbi lumin Dnjepër. Në përgjigje, Ukraina kreu operacion të zbulimit, goditi pajisjet e luftës elektronike dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, si dhe nisi një sulm ndaj urës së Kërçit”, deklaroi Khmara në një konferencë për media disa orë pas sulmit më 17 nëntor.

Derisa ura të riparohet, trafiku nga Rusia drejt Krimesë do të duhet të kalojë përmes një korridori tokësor në Ukrainë, të cilin Rusia aktualisht e ka nën kontroll. Megjithatë, kjo rrugë është e cenueshme ndaj dronëve ukrainas.

Sergei Aksyonov, guvernatori i emëruar nga Rusia në gadishullin e pushtuar të Krimesë, tha se dy persona janë vrarë gjatë sulmit dhe se qarkullimi në urë është pezulluar.

Ura rrugore dhe hekurudhore, e gjatë 19 kilometra, është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe një prej rrugëve kryesore për furnizimin e forcave ruse në Ukrainë. Ukraina e sulmoi atë edhe më 16 nëntor, por Moska tha se sulmi i parë ndaj urës kishte shkaktuar dëme të vogla.

Kremlini reagoi ndaj sulmeve duke thënë se Putini është “informuar për situatën rreth urës së Krimesë”.

“Do të hartohet një plan konkret, teksa do të përcaktohen orari dhe afatet kohore të punimeve për riparimin e saj”, u tha në një postim në Telegram.

I pyetur për sulmin ndaj urës së Krimesë, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Yevheniy Khmara, i tha Radios Evropa e Lirë se “sapo kemi filluar”. Këtë deklaratë ai e dha teksa mori pjesë në takimin e 17 nëntorit të Grupit të Ramsteinit – koalicion prej më shumë se 50 shtetesh dhe Bashkimit Evropian që koordinon ndihmën ushtarake, dërgesat e armëve dhe trajnimet për Ukrainën.

Në të njëjtin takim, ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, shprehu admirimin e tij për aftësinë e Kievit për ta goditur urën, duke thënë: “Sapo pamë një tjetër shembull të zgjuarsisë ukrainase dhe vendosmërisë së palëkundur të Ukrainës për të mbrojtur veten nga agresioni rus”.

Sulmet janë pjesë e asaj që besohet të jetë vala më e madhe e sulmeve me dronë të Ukrainës gjatë luftës. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se forcat e saj gjatë 24 orëve të fundit kishin rrëzuar nëntë raketa ukrainase Flamingo dhe 2.256 dronë në 22 rajone, përfshirë edhe në pjesë të Ukrainës që aktualisht janë nën pushtimin rus. Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se më shumë se 800 prej tyre ishin drejtuar drejt kryeqytetit rus.

Ushtria ukrainase tha më 17 nëntor se kishte goditur rafinerinë e naftës dhe kompleksin petrokimik Salavat në rajonin rus të Bashkortostanit, që gjendet rreth 1.500 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

“Salavati nuk është një fabrikë e zakonshme. Ai është një nga komplekset më të mëdha të përpunimit të naftës dhe petrokimisë në Rusi, me kapacitet të përpunimit të rreth 10 milionë tonë naftë në vit”, shkroi Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë në X.

SHIKONI EDHE:

Sulmet ruse synojnë t’ua “shuajnë vullnetin” ukrainasve, thotë kryeministri ukrainas

Sulmi vjen në kohën kur raketat ruse goditën dy ura mbi lumin Dnjepër në kryeqytetin ukrainas, duke shkaktuar dëme në sistemin e metrosë së qytetit, si dhe ndërprerje të shërbimeve komunale. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi në rrjetet sociale se ishin goditur urat veriore dhe jugore të kryeqytetit.

“Dy ura në kryeqytet u dëmtuan si pasojë e një sulmi me raketa balistike nga armiku”, tha Klitschko.

Sipas presidentit ukrainas Zelensky, Rusia lëshoi shtatë raketa balistike drejt urave në Kiev. Sipas tij, pas sulmeve ruse gjatë natës pati ndërprerje masive të energjisë elektrike në tri rajone ukrainase.

Rusia shënjestroi edhe disa rajone dhe qytete të tjera në të gjithë vendin, përfshirë Çerkasin në Ukrainën qendrore, ku u plagosën tre persona, si dhe Dnipropetrovskun dhe Zaporizhjën. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi këto sulme.

SHIKONI EDHE:

Çfarë pritet nga samiti mes Trumpit, Xisë dhe Putinit?

Në fillim të javës, Zelensky kishte paralajmëruar për sulme të mëdha ruse para takimit trepalësh të 19 nëntorit në Shenzhen të Kinës, mes presidentit amerikan, Donald Trump, presidentit rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se të dërguarit e Trumpit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, do të marrin pjesë në një takim më 19 nëntor në Berlin të një koalicioni shtetesh që mbështet Ukrainën.