Ushtria izraelite ka thënë të dielën se shumë shpejt do t’i thërrasë dy divizione të rezervistëve për operacione në Gazë, ku është duke e luftuar Hamasin, grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Në përputhje me vlerësimet e situatave, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të thërrasin dy brigada me rezervistë për aktivitete operacionale në frontin në Gazë”, ka thënë ushtria, pa ofruar më shumë hollësi.
Më herët gjatë këtij muaji, Izraeli e ka tërhequr një pjesë të forcave prej Gazës, duke thënë se trupat do të përgatiten për operacione tjera në atë territor, përfshirë zonën jugore, Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë, të ikur prej zonave tjera të luftës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar për evakuim të civilëve prej Rafahut, para nisjes së ndonjë ofensive, me qëllim të shkatërrimit të batalioneve të Hamasit, mirëpo ka bërë pak për të ulur shqetësimet ndërkombëtare lidhur me sulmet e planifikuara.
Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të Hamasit në komunitetet izraelite në zonat kufitare më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, dhe duke marrë rreth 240 pengje.
Izraeli beson se 130 pengje janë ende në Gazë ndërsa të paktën 34 kanë vdekur.
Si pasojë e ofensivës izraelite kundër Hamasit në Gazë – me qëllim të shkatërrimit të grupit – janë vrarë më shumë se 33.600 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.
Irani mbështet Hamasin dhe disa rrjete tjera luftarake në rajon, përfshirë Hezbollahun në Liban, të cilat kryejnë sulme të shpeshta kundër izraelitëve.