Kryeministri francez: Omicron po përhapet me shpejtësi në Evropë

Kryeminstri i Francës, Jean Castex. Fotografi nga arkivi.

Varianti i ri i koronavirusit, Omicron po përhapet “me shpejtësi rrufeje” në Evropë dhe me gjasë do të bëhet variant dominues në Francë në fillim të vitit të ardhshëm, paralajmëroi kryeministri francez, Jean Castex.

Këto komente ai i bëri më 17 dhjetor, disa orë para se Franca të vendoste kufizime të ashpra të udhëtimeve për pasagjerët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar deri më tani është shteti i goditur më së keqi dhe më 17 dhjetor regjistroi pothuajse 15,000 raste me variantin Omicron.

Në mbarë Evropën, zyrtarët shëndetësorë po përgatiten për një valë të re infeksionesh.

SHIKONI EDHE: Omicron pritet të bëhet variant dominues në Evropë

Edhe Gjermania, Irlanda dhe Holanda po ashtu kanë njoftuar se do të ashpërsojnë masat për shkak të Omicronit.

Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, Evropa tashmë ka regjistruar mbi 89 milionë raste me koronavirus dhe 1.5 milion vdekje.

Franca mbylli kufijtë për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, si për biznese po ashtu edhe për turizëm.

Duke folur vetëm disa orë para hyrjes në fuqi të kësaj mase, kryeministri francez, Castex tha se këto kufizime të udhëtimeve janë pjesë e një sërë masash që kanë për qëllim të frenojnë përhapjen e koronavirusit.

Franca mëton që të kërkojë edhe dozën e tretë të vaksinës, në mënyrë që qytetarët të mund të shkojnë në restorante dhe po ashtu distanca fizike do të jetë kusht për të përdorur transportin publik.

Castex tha po ashtu se Qeveria franceze do të njoftojë për masa të reja vitin e ardhshëm që kanë për qëllim të luftojnë hezitimin e marrjes së vaksinave. Sipas tij, është “e papranueshme që disa milionë francezë të refuzojnë të vaksinohen dhe të vënë në rrezik jetën e gjithë qytetarëve”.