Raportet e fundit nga Irani sugjerojnë se një shtypje intensive ndaj opozitës politike brenda vendit, e cila nisi gjatë protestave masive në janar, po vazhdon ende.
Më 13 qershor, Shoqata e Shkrimtarëve të Iranit njoftoi se Yousef Ansari, një poet dhe romancier i arrestuar më 8 janar, ishte dënuar me katër muaj burgim, si dhe me tetë muaj të tjerë dënim me kusht.
Radio Farda e Radios Evropa e Lirë mësoi se Fereydoun Farahani, profesor i muzikës dhe profesor i ftuar i arkitekturës në Universitetin Pars, ishte arrestuar për postimet që kishte bërë në rrjetet sociale gjatë demonstratave.
Ai kishte publikuar në Instagram një këngë të titulluar “Në lavd të dëshirës së kombit për liri”.
Në provincën e Isfahanit, gjyqësori njoftoi se 100 “tradhtarëve” do t’u konfiskoheshin pasuritë, pa dhënë hollësi të tjera.
Prej disa javësh, autoritetet iraniane kanë shpallur masa të ngjashme kundër qindra personave.
SHIKONI EDHE:
Raportimi që çoi shefin e medias shtetërore iraniane në gjykatëGrupi për të Drejtat e Njeriut në Iran, një organizatë mbikëqyrëse me seli në Norvegji, raportoi më 8 qershor se të paktën 40 të burgosur, përfshirë 19 protestues, janë varur deri më tani këtë vit nën akuza të motivuara politikisht.
Po më 13 qershor, agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, raportoi se një i dyshuar ishte arrestuar për shkak se kishte qenë “në kontakt me elementë të spiunazhit të huaj”.
Ndaras, Këshilli Koordinues i Sindikatave të Mësuesve të Iranit publikoi një deklaratë më 13 qershor, në të cilën dënoi presionin e ushtruar nga forcat e sigurisë, arrestimet, vendimet gjyqësore dhe kufizimet e vendosura ndaj aktivistëve të sindikatave të mësuesve, duke thënë se ato nuk mund të konsiderohen incidente të izoluara.
Veprime të tilla përbëjnë “një model të qartë dhe të organizuar për të dobësuar sindikatat e pavarura të mësuesve dhe për të heshtur zërin e kërkesave të shoqërisë”, thuhet në deklaratë.
Një pjesë tjetër e shtypjes ka qenë përdorimi në rritje i një ligji të ri, të miratuar pas luftës 12-ditore me Izraelin vitin e kaluar, i cili zgjeron dënimet për rastet e pretenduara të spiunazhit.
Disa nga të akuzuarit për spiunazh janë ekzekutuar me varje, së bashku me dhjetëra të burgosur të tjerë politikë, gjatë javëve të fundit.
Shkalla e shtypjes, e cila nisi pasi forcat e sigurisë vranë mijëra protestues në janar, ka nxitur dënim të gjerë ndërkombëtar.
SHIKONI EDHE:
Të paktën 2.403 të vdekur në protestat në Iran, thotë grupi për të drejtat e njeriutDitët e fundit, një numër fituesish të Çmimit Nobel kanë ngritur zërin lidhur me këtë çështje.
Rreth 13 laureatë të Nobelit i thanë Radios Evropa e Lirë se ishin në mesin e 75 fituesve të çmimeve të përmendur në një letër të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i lidhur me Mojahedin-e Khalq (MEK), një grup opozitar në mërgim që Irani e konsideron organizatë terroriste, por që është hequr nga listat e organizatave terroriste të SHBA-së dhe BE-së më shumë se një dekadë më parë.
Mes tyre ishin Barry Barish dhe Reinhard Genzel, fitues të Çmimit Nobel për Fizikë në vitet 2017 dhe 2020, përkatësisht, Oliver Hart, fitues i Çmimit Nobel për Ekonomi në vitin 2016, dhe Brian Kobilka, fitues i Çmimit Nobel për Kimi në vitin 2012.
Në letër shprehet “shqetësim i thellë dhe urgjent për shkeljet e përhapura, sistematike dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Iran”.
“E nënshkrova atë për të protestuar kundër ekzekutimit të të burgosurve politikë”, i tha Radios Evropa e Lirë përmes një emaili Jack Szostak, fitues i Çmimit Nobel për Mjekësi në vitin 2009.
Në një raport të publikuar në fund të majit, Amnesty International njoftoi se të paktën 78 protestues dhe të burgosur politikë të dënuar me vdekje ishin në rrezik ekzekutimi, përfshirë të paktën 41 persona të arrestuar në lidhje me protestat e janarit.