Venezuela ka liruar nga burgu shtetas të Shqipërisë, Çekisë, Hungarisë, Holandës dhe Gjermanisë dhe shteteve të tjera, njoftuan disa nga këto vende.
Lirimi i tyre është pjesë e një vale të lirimeve nga burgu pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin e rrëzuar, Nicolas Maduro.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë tha se Jozef Ndoci, ishte mbajtur i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit, nga tetori i vitit 2024 deri në janar të këtij viti, u lirua dhe është në gjendje të sigurt.
"Z. Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë", tha ministria, duke shtuar se ai tani ndodhet nën përkujdesjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në karakas.
Ministria për Evropë tha se përmes Ambasadës shqiptare në Brazil është angazhuar për lirimin e Ndocit, duke falënderuar Kryqin e Kuq dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve partnere në Karakas për lirimin e tij.
"Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Ndoci dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri", u tha në njoftim.
Një burrë nga Çekia që u lirua ishte në burgjet venezuelase që nga viti 2024, kur autoritetet në Venezuelë e akuzuan atë se planifikonte të merrte pjesë në një komplot për të vrarë Maduron dhe për të rrëzuar Qeverinë, raportuan mediat në Republikën Çeke.
Ministria e Jashtme e Çekisë kishte deklaruar vitin e kaluar se një shtetas çek ishte arrestuar pa “ndonjë aktakuzë dhe pa një gjykim të drejtë”. Grupi venezuelas për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se ai u arrestua për arsye pilitike.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, tha se ai u lirua së bashku me të burgosur të tjerë nga Shqipëria, Irlanda, Rumania, Gjermania, Ukraina dhe Holanda.
SHIKONI EDHE: Trump: SHBA do ta udhëheqë Venezuelën, pas kapjes së MadurosEnde nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve të liruar nga burgjet në Venezuelë dhe ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje.
“Pas negociatash prej disa javësh, kemi arritur lirimin e tij”, tha Macinka gjatë një konference për media, duke shtuar se Republika Çeke është e gatshme që të përmirësojë raportet diplomatike me Venezuelën.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shkroi në X se janë liruar tre shtetas gjermanë, duke e cilësuar si “gjest drejt raporteve më konstruktive”.
Holanda tha se tre shtetas të saj janë liruar, ndërkaq Hungaria njoftoi për lirimin e një shtetasi të saj që kishte qenë në një anije kërkimore.
Jorge Rodriguez, president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë deklaruar se një numër i madh i të burgosurve do të lirohen pasi SHBA-ja kapi Maduron në fillim të janarit.
Venezuela tha gjatë kësaj jave se më shumë se 400 persona janë liruar, por grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se numri i të liruarve është më i vogël.