Gati 100 persona kanë vdekur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vërshimeve në qytetin brazilian, Petropolis, kanë thënë zyrtarët.
Ky qytet, i cili gjendet afër maleve të Rio de Zhaneiros është goditur nga shira të rrëmbyeshëm.
Shtëpitë janë shkatërruar dhe veturat i ka marrë uji.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke gërmuar baltën për të gjetur ndonjë të mbijetuar.
Mbrojtja Civile Kombëtare e Brazilit ka thënë në Twitter se 24 persona janë shpëtuar të gjallë deri më tani, ndërsa 94 vdekje janë konfirmuar.
SHIKONI EDHE: Katastrofat natyrore shkaktuan 250 miliardë dollarë dëme“Situata është gati si luftë. Makina të varura, makina të përmbysura, shumë baltë dhe ujë”, ka thënë guvernatori i Rio de Zhaneiros, Claudio Castro para gazetarëve.
Petropolis është destinacion i njohur për turistët.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, i cili është në vizitë zyrtare në Rusi, ka thënë se do të organizojë ndihmë të menjëhershme për viktimat.
Kjo është një nga seritë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë goditur Brazilin në tre muajt e fundit.
Shkencëtarët kanë thënë se kjo situatë po përkeqësohet nga ndryshimet klimatike.