Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vazhdimi i masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj vendit mbetet “i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.
Gjatë një takimi me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, Osmani kërkoi mbështetjen e tij për heqjen e këtyre masave që blloku evropian i ka vendosur më 2023.
“Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e zotit Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë. Sipas presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
BE-ja i vendosi disa masa ndëshkuese Kosovës më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Në maj të këtij viti, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, gjatë një vizite në Kosovë tha se blloku ka nisur heqjen graduale të këtyre masave.
SHIKONI EDHE: Kallas bën thirrje për zhbllokim të ngërçit politik në Kosovë, thotë se ka nisur heqja e masaveAjo nuk tregoi se cilat masa janë hequr apo mund të hiqen, por Radio Evropa e Lirë atëbotë mësoi nga burimet në Bruksel se masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), paktit të parë kontraktual mes Kosovës dhe BE-së, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
SHIKONI EDHE: Cilat prej masave ndëshkuese ka filluar BE-ja t'ia heqë Kosovës?Gjatë takimit me raportuesin për Kosovën në PE, presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se është e nevojshme që kërkesa e vendit për anëtarësim në BE “të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave”.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova është prapa në rrugën evropiane, pasi është vendi i vetëm që nuk ka as statusin e vendit kandidat.
SHIKONI EDHE: Politika e BE-së ndaj Kosovës në "autopilot"Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.
Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.