Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes nxit protesta në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe ministri tashmë i shkarkuar i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shkarkoi Mykhailo Fedorovin nga posti i ministrit të Mbrojtjes, pas një takimi me udhëheqjen ushtarake. Vendimi nxiti reagime në qarqet politike dhe ushtarake dhe ngriti pyetje lidhur me mbikëqyrjen e mbrojtjes të Ukrainës ndaj pushtimit të nisur nga Rusia.

Shkarkimi i udhëheqësit të sektorit të mbrojtjes është në kuadër të një riorganizimi të kabinetit qeveritar, në të cilin edhe Yulia Svyrydenko u largua nga posti i kryeministres të Ukrainës.

Fedorovi, një burokrat i ri dhe i njohur për aftësitë e tij në teknologji, i cili ka udhëhequr përpjekjet për transformimin digjital në administratën shtetërore dhe ka promovuar inovacionin në përdorimin e dronëve si një armë të rëndësishme në luftë, konfirmoi më 15 korrik se ishte liruar nga detyra.

Kjo lëvizje nxiti protesta në kryeqytet, Kiev, dhe në qytete të tjera ukrainase ku njerëzit u mblodhën për të kundërshtuar vendimin.

Një protestuese në Kiev i tha Radios Evropa e Lirë se demonstruesit janë mbledhur më 16 korrik në mbështetje të Federovit, duke e kritikuar vendimin për shkarkimin e tij në kohën kur reformat në Ministrinë e Mbrojtjes kanë nisur dhe ku rezultatet, sipas saj, janë të dukshme.

“Ne e dimë që ai është ministri më efektiv i Mbrojtjes që nga pavarësimi i Ukrainës”, tha ajo, duke shtuar se “nuk e kuptojmë këtë vendim dhe po protestojmë kundër tij”.

“Nuk më kujtohet nëse dikush tjetër është larguar nga detyra kaq padrejtësisht. Zakonisht njerëzit shkarkohen kur nuk kanë rezultate të mira, por ky vendim do të jetë i gëzueshëm për Rusinë”, tha një tjetër protestues që po merrte pjesë për herë të parë në një protestë të këtij lloji.

Ai shtoi se është i bindur që shkarkimi i Federovit dhe ekipit të tij do të ketë ndikim negativ në punën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë në Kiev, qindra persona dolën në rrugë në mbështetje të Fedorovit, duke brohoritur slogale sikurse “Kthejeni Fedorovin”.

Protesta të ngjashme janë organizuar edhe në Lviv, Harkiv, Dnipro dhe Odesa.

Mandati i shkurtër i Fedorovit si ministër përkon me periudhën kur situata në fushëbetejë është në prag të një ngërçi.

Dronët taktikë me rreze të shkurtër kanë ndihmuar Ukrainën të mbulojë boshllëqet në mbrojtje dhe t’i pengojë trupat ruse të bëjnë përparime të rëndësishme në terren. Por, komandantët ukrainas po vazhdojnë të përballen me mungesë të personelit dhe të njësiteve me përvojë për t’iu kundërvënë përpjekjeve ruse për të përparuar.

Në gjashtë muajt sa Fedorov ishte ministër, Ukraina shënoi përmirësime në pozicionin e saj në fushëbetejë, duke goditur vazhdimisht rafineritë ruse të naftës, duke shkaktuar mungesa të karburanteve në Rusi dhe duke e turpëruar presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ishte një nder i madh t’i shërbeja popullit ukrainas si ministër i Mbrojtjes”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Zelensky nuk ka komentuar publikisht për këtë vendim.

Fedorovi përmendi disa nga arritjet gjatë kohës sa e drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes, përfshirë bllokimin e qasjes së trupave ruse në satelitët e Starlink-ut, gjë që sipas tij, “ua reduktoi ndjeshëm aftësinë për të zhvilluar një luftë efektive me dronë”.

Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë për “ta mposhtur armikun përmes veprimit asimetrik, shpejtësisë së inovacionit dhe forcës organizative”. Federov nuk dha detaje të tjera.

Mediat ukrainase kishin spekuluar se Fedorovi mund të shkarkohej, pasi thuhej se ishte në një “konflikt sistematik” me anëtarë të tjerë të kabinetit, të përfshirë në vendimmarrjen për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Dan Rice, president i Universitetit Amerikan të Kievit dhe ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se Fedorovi mund të emërohet në një post tjetër të lartë, përfshirë potencialisht atë të kryeministrit ose të ambasadorit të Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, megjithëse theksoi se “askush nuk e di” se çfarë synimi ka Zelensky.

“Mendoj se ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në një periudhë shumë të shkurtër”, tha Rice lidhur me Federovin.

“Besoj se ai ka mundësi të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe SHBA-së. Por, koha do të tregojë se çfarë dëshiron presidenti Zelensky”.

Zelensky njoftoi më 12 korrik se po fillonte riorganizimin e Qeverisë, duke thënë se ndryshimet janë të nevojshme për zbatimin e një strategjie të përditësuar politike.

SHIKONI EDHE:

Zelensky njofton për zëvendësimin e kryeministres ukrainase

Ai tha se riorganizimi synon po ashtu ripërtëritjen e Kabinetit të Ministrave dhe se përgjegjësia për fushat kyç të politikës së jashtme do t’u besohet zyrtarëve me përvojë.

Më 15 korrik, Zelensky mbështeti emërimin e Serhiy Koretskiyt, drejtorit ekzekutiv të Naftogaz – kompanisë më të madhe shtetërore të naftës dhe gazit në Ukrainë – si kryeministrin e ardhshëm të vendit.

Naftogaz është një nga burimet kryesore të të ardhurave të Qeverisë dhe një korporatë që ka ndikim të madh politik.

Një nga ministrat më të rinj në Qeverinë e Zelenskyt, Fedorov, 34 vjeç, u emërua në vitin 2019 si ministri i parë i Transformimit Digjital të Ukrainës, një post që u krijua për të modernizuar shërbimet burokratike shtetërore, shumë prej të cilave datonin që nga epoka sovjetike.

Po aq e rëndësishme ishte edhe rritja e transparencës në proceset burokratike, duke ndihmuar në çrrënjosjen e praktikave korruptive.

Reformat – të përshkruara me frazën “shteti në një telefon të mençur” – u mirëpritën nga qytetarët ukrainas, ndërsa popullariteti dhe suksesi i Fedorovit çuan në promovimin e tij në kabinetin qeverisës, në postin e zëvendëskryeministrit, me një portofol më të zgjeruar.

Në janar, ai u emërua ministër i Mbrojtjes.

Megjithëse mungesa e përvojës ushtarake e Fedorovit shkaktoi pakënaqësi te disa pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, emërimi i tij u shoqërua me një rritje të ndjeshme të përdorimit dhe prodhimit të dronëve – një fushë e inovacionit ushtarak në të cilën Ukraina ka spikatur gjatë luftës.

Javët e fundit, Ukraina ka përdorur dronë për të goditur një sërë caqesh thellë brenda territorit rus.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Kremlinit, përfshirë terminalet e naftës dhe cisternat në det, janë pjesë e një fushate që Kievi e ka quajtur “sanksione me rreze të gjatë veprimi” kundër Rusisë.

Video: Zemërim në pompat e derivateve në Rusi

Your browser doesn’t support HTML5

Përleshje fizike në pompat e derivateve në Rusi mes krizës me karburante

Sulmet me dronë ndaj objekteve energjetike ruse kanë shkaktuar mungesa të mëdha të karburanteve në mbarë vendin. Edhe Moska – e cila shpesh ka qenë e paprekur nga krizat në pjesë të tjera të Rusisë – ka filluar t’i ndiejë pasojat, pasi ka radhë të gjata në pikat e furnizimit me karburant që kanë nxitur zemërim te shoferët.