Von der Leyen: BE-ja duhet të jetë pragmatike me SHBA-në, të thellojë lidhjet me Kinën

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen.

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje të martën bllokut evropian që t'i “thellojë” lidhjet me Kinën dhe të forcojë marrëdhëniet me Indinë, ndërkohë që të ndjekë një qasje “pragmatike” me administratën e re të SHBA-së të Donald Trumpit.

Në një fjalim hyrës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Von der Leyen theksoi rëndësinë që blloku evropian të bashkëpunojë dhe jo të konfrontohet me administratën e Trumpit, i cili ka premtuar tarifa ndëshkuese importi ndaj partnerëve kryesorë si pjesë e politikës së tij tregtare.

“Prioriteti ynë i parë do të jetë angazhimi i hershëm, diskutimi i interesave të përbashkëta dhe gatishmëria për të negociuar”, tha shefja e Komisionit Evropian në mbledhjen e liderëve botërore në Zvicër.

“Ne do të jemi pragmatikë, por gjithmonë do të qëndrojmë përkrah parimeve tona”, tha Von der Leyen, duke theksuar se Evropa mbetet e angazhuar për marrëveshjen e klimës të Parisit, pavarësisht urdhrit të Trumpit për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja.

SHIKONI EDHE: Trump fal të akuzuarit e 6 janarit, mes vendimeve të para pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë

Shefja e BE-së e përqendroi fjalimin e saj kryesisht në nevojën për të rritur partneritete me vendet e tjera përtej Shteteve të Bashkuara - duke bërë thirrje që blloku evropian të “angazhohet në mënyrë konstruktive” me Kinën, pavarësisht tensioneve në rritje tregtare midis Pekinit dhe Brukselit.

“Viti 2025 shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Bashkimit Evropian me Kinën. Unë e shoh këtë si një mundësi për t’u angazhuar dhe thelluar marrëdhënien tonë me Kinën, dhe ku të jetë e mundur, edhe për të zgjeruar lidhjet tona tregtare dhe të investimeve”, tha ajo.

Ajo gjithashtu njoftoi se ekipi i saj kryesor do ta vizitojë Indinë për të forcuar lidhjet në udhëtimin e parë jashtë vendit të mandatit të ri.

“Së bashku me kryeministrin [Narendra] Modi, ne duam të përmirësojmë partneritetin strategjik me vendin më të madh dhe demokracinë më të madhe në botë”, tha Von der Leyen.

BE-ja ka thënë se është “gati” të mbrojë interesat e saj nëse Trumpi i bën realitet kërcënimet e tij tregtare - megjithatë, lideri i ri SHBA-së deri tani nuk ka njoftuar për hyrjen në fuqi të tarifave të tilla.

“Askush nuk ka interes që të prishë lidhjet në ekonominë globale”, tha Von der Leyen.

SHIKONI EDHE: Liderët evropianë që duan t’i hyjnë në qejf Trumpit

Përballë rrezikut, BE-ja ka punuar për të diversifikuar partneritetet e saj tregtare, duke njoftuar në ditët e fundit për një marrëveshje më të madhe tregtare me Meksikën dhe rinisjen e bisedimeve për një marrëveshje për treg të lirë me Malajzinë.