Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë

Një veturë e Policisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Është vetëdorëzuar në Polici i dyshuari për vrasjen e një personi në Gjakovë dhe plagosjen e një tjetri, konfirmuan nga Policia e Kosovës.

Vrasja në Gjakovë ndodhi mëngjesin e 16 marsit dhe Policia dhe Prokuroria njoftuan më pas se kishin identifikuar dhe ishin në kërkim të dorasit të dyshuar.

Vlera Krasniqi, zyrtare për informim në drejtorinë rajonale të Policisë në Gjakovë tha se i dyshuari është vetëdorëzuar në orët e mbrëmjes të së hënës në Policinë e Gjakovës.

Nga Policia thanë se vrasja ndodhi pas një konflikti, kur mbeti i plagosur me armë zjarri edhe një person tjetër.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj, tha se në orën 05:30 të 16 marsit mori informacion se dy persona të moshës madhore ishin qëlluar me armë zjarri.

Sipas Elezajt, njëri nga ta vdiq në vendin e ngjarjes nga plagët e marra.

“Atë që mund ta ndajmë tash është se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë me publikun aktualisht”, deklaroi zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj gjatë një konference për media.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Shtetit ka iniciuar rast për veprën penale vrasje e rëndë.

Viteve të fundit janë regjistruar një sërë rastesh të dhunës me armë zjarri në Kosovë, që kanë çuar edhe në vrasje. Mijëra armë zjarri pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Ekspertët argumentojnë se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.