Policia në Mal të Zi ka bërë të ditur se është duke bërë kërkime intensive për Vehid Muriqin (25 vjeç) nga Rozhaja, i cili dyshohet për kryerjen e një vrasjeje të trefishtë në Podgoricë.
Tre trupa të pajetë janë gjetur mëngjesin e 21 prillit në një shtëpi në lagjen Aeroporti i Vjetër në Podgoricë, tha Policia përmes një njoftimi.
Siç është bërë e ditur, zyrtarët policorë, në koordinim me Prokurorinë e Lartë në Podgoricë, po ndërmarrin masa dhe veprime urgjente për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa në dispozicion janë vënë të gjitha kapacitetet e Policisë.
“Sipas të dhënave të deritanishme, ky rast nuk lidhet me veprimtarinë e strukturave kriminale, përderisa Policia disponon informacione për identitetin e të dyshuarit për kryerjen e këtij akti penal dhe është duke bërë kërkime intensive”, thuhet në njoftimin e Policisë të Malit të Zi.
Policia dyshon se vrasjes së trefishtë i ka paraprirë një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe viktimave.
Policia u bëri thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e të dyshuarit, të njoftojnë Policinë, duke paralajmëruar qytetarët që të tregojnë kujdes.
“Të gjithë personat janë me origjinë nga Rozhaja. Në vendin e ngjarjes po kryhet hetime. Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, vepra penale me shumë gjasë është kryer me përdorimin e një arme të ftohtë”, thuhet në njoftim.
Autoritetet thanë se sipas informacioneve të para nga hetimet, krimi besohet të ketë ndodhur gjatë natës së kaluar.