Vuçiq: Është gjetur eksploziv pranë infrastrukturës së gazit në kufi me Hungarinë

Anëtarë të Policisë Ushtarake në aksion në territorin e Vojvodinës në Serbinë veriore, gjatë të cilit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes serbe, u gjet eksploziv, 5 prill 2025.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se është gjetur një lëndë plasëse “me fuqi të madhe shkatërruese” gjatë një hetimi rreth kërcënimeve ndaj infrastrukturës së gazit në afërsi të kufirit me Hungarinë. Megjithatë, këto pretendime janë vënë në dyshim nga opozita në të dyja vendet.

Vuçiq theksoi se e ka njoftuar për këtë kryeministrin hungarez, Viktor Orban, përmes një bisede telefonike.

“Ia paraqita atij rezultatet e para të hetimit nga autoritetet tona ushtarake dhe policore në lidhje me kërcënimin ndaj infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”, shkroi Vuçiq në Instagram të dielën.

Orban, i cili përballet me zgjedhje sfiduese javën e ardhshme, tregoi më vonë se ishte njoftuar nga Vuçiqi për këtë.

Kryeministri hungarez, i cili është aleat i Vuçiqit, tha në një postim në Facebook se “autoritetet serbe kanë gjetur eksplozivë shkatërrues dhe pajisjet e nevojshme për aktivizim në infrastrukturën kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë".

Opozita në Serbi dhe Hungari i vënë në pikëpyetje pretendimet për eksplozivë

Disa parti opozitare në Serbi, si dhe udhëheqësi kryesor i opozitës hungareze, kanë shprehur dyshime rreth akuzave të zyrtarëve për eksplozivë të gjetur pranë infrastrukturës së gazit.

“Rasti i zbulimit të supozuar të eksplozivëve pranë infrastrukturës së gazit është një tjetër mashtrim politik dhe i sigurisë i Vuçiqit. Është një skemë e projektuar për të krijuar një atmosferë kërcënimi, frike dhe gjendjeje të jashtëzakonshme, këtë herë për të ndihmuar Viktor Orbanin para zgjedhjeve në Hungari”, thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike të nënshkruar nga presidenti i partisë, Sërxhan Millivojeviq.

Përfaqësuesi i lëvizjes opozitare Kreni-Promeni, Savo Manojlloviq, deklaroi se është e rëndësishme që publiku të marrë informacion të qartë dhe të verifikuar në lidhje me operacionin e sigurisë.

SHIKONI EDHE:

Hungaria dhe Serbia pajtohen për ndërtimin e naftësjellësit rus

"Çdo eksploziv dhe kërcënim për paqen kërkon një hetim të plotë dhe serioz. Njësoj si kjo histori rreth akuzave për një incident të parandaluar një javë para zgjedhjeve në Hungari", tha Manojlloviq.

Ai vlerësoi se Qeveria aktuale në Serbi nuk ka besueshmëri kur bëhet fjalë për situata të tilla, duke deklaruar se ajo ka “përdorur ngjarjet dhe incidentet politike në rajon për qëllime politike” në vitet e fundit.

Lideri i opozitës hungareze, Peter Magyar, tha se më parë kishte marrë informacion se diçka "aksidentale" do të ndodhte me tubacionin e gazit në Serbi për Pashkët, duke i thënë kryeministrit Viktor Orban se nuk do të ishte në gjendje të parandalonte zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen në atë vend javën e ardhshme.

Hungarezi shkroi në Facebook se prej javësh ka marrë sinjale nga disa vende se për shkak të rënies së mbështetjes për partinë Fidesz, "Viktor Orban, me ndihmën e Serbisë dhe Rusisë, dëshiron të kalojë një kufi të ri".

“Disa prej tyre treguan publikisht se diçka do të ndodhte ‘rastësisht’ me tubacionin e gazit në Serbi për Pashkët, një javë para zgjedhjeve hungareze. Dhe ashtu ndodhi”, theksoi Magyar, duke reaguar ndaj lajmit se eksplozivë ishin gjetur pranë infrastrukturës së gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë.

Ai i bëri thirrje Orbanit ta informonte pa vonesë për zhvillimet dhe ta ftonte në seancën e paralajmëruar të Këshillit të Mbrojtjes së Shtetit.

Ai tha se Tisa, si partia që, siç deklaroi ai, do të formojë qeverinë, do të kryejë një hetim gjithëpërfshirës dhe publik për të përcaktuar se kush ishin nxitësit dhe autorët politikë të krimeve anti-shtetërore.

"Çanta me eksploziv"

Vuçiq shtoi se përveç eksplozivit, u gjetën edhe fitila për aktivizimin e tij.

Ai nënvizoi më pas në Beograd, gjatë një vizite në vendin e ndërtimit për ekspozitën Expo, se jo shumë larg vendbanimit Velebit në Vojvodinën veriore, disa qindra metra nga tubacioni i gazit Balkan Stream, u gjetën në dy çanta shpine dy pako të mëdha me eksplozivë me fitil.

Vendi ku pretendohet se u gjet eksploziv.

“Ato mund të kishin rrezikuar një numër të madh njerëzish dhe të kishin shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me gaz të Serbisë dhe Hungarisë", tha ai.

"Kemi të dhëna dhe një hetim është duke u zhvilluar. Sapo mbarova bisedën me Viktor Orbanin. Është e qartë se lojërat gjeopolitike nuk do të na lënë rehat", tha Vuçiq.

Ai shtoi se agjencitë e inteligjencës së Serbisë "bënë një punë të mirë".

"Mendojmë se e dimë se cilit grup i përkasin individët që supozohej të ndërmerrnin hapin e fundit në aktivizimin e eksplozivëve. Qëllimi ishte të dërgohej një mesazh politik. Do ta ndëshkojmë rëndë këdo që kapim", tha Vuçiq.

SHIKONI EDHE:

Serbia arrin marrëveshje të re për furnizim me gaz nga Rusia

Portali hungarez Index raportoi se Orban ka planifikuar një takim të Këshillit të Mbrojtjes për të dielën pasdite për shkak të eksplozivit të gjetur pranë një tubacioni gazi në Serbi.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) njoftoi më parë se policia dhe ushtria po kontrollonin zonën në veri të Serbisë në komunën e Kanjizhës, rreth pesëmbëdhjetë kilometra nga kufiri me Hungarinë.

Sipas RTS-së, kërkimi po kryhej nga toka, me kontroll dhe koordinim nga ajri, dhe se helikopterët po fluturonin mbi zonën. Janë përdorur dronë, qen nuhatës, pajisje për imazhe termike dhe pajisje të tjera, si dhe ekipe kundërsabotimi.

RTS deklaroi se kontrolli po kryhej me miratimin e Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Suboticë.

Autoritetet kompetente ende nuk kanë publikuar informacione rreth veprimit të forcave të sigurisë në veri të Serbisë.

Më 19 mars, pjesëtarët e ushtrisë serbe filluan rritjen e sigurisë në stacionin e kompresorëve në Zhabar, në Serbinë lindore, në tubacionin e gazit Balkan Stream që transporton gazin rus nga Turqia në Hungari.

Kjo erdhi pasi Vuçiq njoftoi se objekti do të ruhej nga ushtria për arsye sigurie për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.