Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.
"Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm", shkroi Vuçiq në Facebook.
Ai shtoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, institucionet serbe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.
Si komandant suprem i Forcave të Armatosura Serbe, tha se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e këtyre forcave.
Sipas tij, plani përfshin krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, si dhe përdorimin e municioneve "fluturuese".
Po ashtu, ai paralajmëroi trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për përdorim të artilerisë dhe aviacionit, si dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve në pjesë të tjera të ushtrisë.
SHIKONI EDHE:
Stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës: Kurti i quan agresore, KFOR-i thotë se s'përbëjnë rrezikVuçiq tha se këto masa synojnë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
"Në ditët në vijim, do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim bërjen e porosive të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën në vijim, do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka që kemi folur sot", tha Vuçiq.
"Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me ndërveprimin më të theksuar dhe aftësitë më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë", shtoi ai.
Kujt i referohet Vuçiq?
Vitin e kaluar, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Përfaqësuesit e tri vendeve thanë atëkohë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride.
Ata theksuan se aleanca mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt, por Vuçiq, në disa raste, e përshkroi atë si kërcënim për Serbinë.
"Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar", tha Vuçiq për Radio-Televizionin e Serbisë, më 12 mars.
SHIKONI EDHE:
Keqllogaritja që mund ta destabilizojë BallkaninÇfarë kapacitetesh posedon ushtria serbe?
Edhe pse pretendon neutralitet ushtarak, Serbia është ushtria më e shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor.
Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), vetëm në vitin 2024, ajo shpenzoi 2.2 miliardë dollarë - rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që zë vendin e dytë në rajon për shpenzime ushtarake.
Muajin e kaluar, Vuçiq njoftoi për blerjen e raketave balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore.
Kështu, ajo u bë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketa ajër-tokë CM-400AKG, të cilat kanë rreze veprimi prej qindra kilometrash.
Serbia ka në arsenalin e vet edhe armë nga Perëndimi, si avionë Rafale, por edhe nga Rusia, si MiG-29.
Joseph: Serbia po krijon artificialisht një ndjenjë rreziku
Eksperti i menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 prill se "alarmet e vazhdueshme dhe të ekzagjeruara" në Beograd për Deklaratën e Përbashkët të Sigurisë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës janë shqetësuese.
Sipas tij, Beogradi duket se po e përdor këtë si "pretekst për t’u armatosur dhe për të krijuar artificialisht një ndjenjë rreziku brenda vendit".
"Rritja e vazhdueshme e armatimit në Serbi - përfshirë blerjen e raketave supersonike kineze - është një shqetësim serioz. Çfarë kërcënimi synojnë të luftojnë këto raketa?", tha Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.
Sipas tij, Vuçiq është në një pozicion gjithnjë e më të dobësuar, për shkak të protestatve antiqeveritare, humbjes së aleatit të tij hungarez, Viktor Orban, në zgjedhje dhe kritikave të Bashkimit Evropian për minim të sundimit të ligjit.
SHIKONI EDHE:
Joseph: Kurti të heqë dorë nga populizmi përçarës dhe të përfitojë nga dobësimi i VuçiqitBashkimi Evropian, ku Serbia mëton të anëtarësohet, i ka bërë vazhdimisht thirrje asaj që ta harmonizojë politikën e jashtme me atë të bllokut.
Dështimi për të vepruar ka bërë që Serbia të mos hapë asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021.