Aplikacioni për mesazhe, WhatsApp, ka thënë të enjten se Rusia po përpiqet t’i bllokojë shërbimet e tij për shkak se aplikacioni ua ka ofruar njerëzve të drejtën për komunikim të sigurt.
WhatsApp, i cili është në pronësi të Meta-s, u zotua se do t’i vazhdojë përpjekjet për t’i kthyer shërbimet e aplikacionit të vet edhe në Rusi.
Rusia ka filluar t’i kufizojë disa thirrje në Telegram dhe WhatsApp, duke i akuzuar platformat në pronësi të huaj se nuk po ndajnë të dhëna me organet e rendit në rastet e mashtrimeve dhe terrorizmit.
“WhatsApp është privat, i koduar nga skaji në skaj dhe sfidon përpjekjet e qeverive për të shkelur të drejtën e njerëzve për komunikim të sigurt, prandaj Rusia po përpiqet ta bllokojë atë për mbi 100 milionë qytetarë rusë”, tha WhatsApp në një komunikatë.
SHIKONI EDHE: WhatsApp duhet të përgatitet “për largim” nga tregu rus“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë të mundur komunikimin e koduar për njerëzit kudo, përfshirë në Rusi”, thuhet në komunikatë.
Telegrami tha se moderatorët e saj po përdorin mjete të inteligjencës artificiale për të monitoruar pjesët publike të platformës dhe për të hequr miliona mesazhe të dëmshme çdo ditë.
“Telegram lufton në mënyrë aktive përdorimin e dëmshëm të platformës së tij, përfshirë thirrjet për sabotim ose dhunë dhe mashtrime”, tha Telegram në një komunikatë.
Rusia është përplasur me platformat e huaja të teknologjisë për disa vite lidhur me përmbajtjen dhe ruajtjen e të dhënave.
Konflikti i vazhdueshëm i Rusisë me këto platforma u përshkallëzuan pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Kritikët thonë se Rusia po përpiqet të zgjerojë kontrollin mbi hapësirën e saj të internetit.