Zelensky dhe Vuçiq takohen në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelesky, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë samit të Krapateve në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në samitin e parë të “Tetëshes së Karpateve”.

Përmes një postimi në X, ai shprehu mirënjohjen për faktin që Serbia iu bashkua këtij formati të ri takimesh.

“Është e rëndësishme ta zhvillojmë këtë format të ri takimesh në mënyrë që çdo vend në rajon të gjejë mundësitë ekonomike dhe të sigurisë që i nevojiten. Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur këtë dhe sot, së bashku me liderët e tjerë, do të marr pjesë edhe në Forumin e parë të Biznesit të Karpateve”, shkroi Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas tha se me homologun serb ka diskutuar për marrëveshjet e arritura gjatë vizitës së tij në Beograd një muaj më parë.

“Diskutuam në detaje për integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si dhe për situatën lidhur me sulmet ruse. Do ta vazhdojmë dialogun tonë dypalësh”, theksoi Zelensky, i cili në fillim të gushtit zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Serbi.

Gjatë bisedës me Vuçiqin në Beograd, Zelensky mori premtimin se Serbia do të vazhdojë ta ndihmojë këtë shtet të përfshirë nga lufta, duke dërguar ndihmë humanitare.

Vizita e Zelenskyt në Beograd ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi Serbia është një nga të paktat shtete evropiane që refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Po gjatë kësaj vizite, Zelensky u pyet nga gazetarët nëse Kievi kishte ndryshuar politikën sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky në Beograd.

SHIKONI EDHE:

A po bëhet mosnjohja e Kosovës aset diplomatik i Ukrainës?Deklarata e Zelenskyt për Kosovën nxit reagime në Prishtinë, Tiranë e KievKryetari i Komisionit parlamentar ukrainas shpjegon pse Ukraina nuk e njeh Kosovën: Krimea, Serbia dhe municioni

Kjo deklaratë e udhëheqësit ukrainas për Kosovën – shtet që u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës, dhe ka ofruar ndihmë për Ukrainën – nxiti reagime në Kosovë, Shqipëri dhe në Ukrainë.

Ndryshe, Zelensky ka nisur në Ukrainë një nismë të re rajonale për takime të nivelit të lartë, që bashkon tetë shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore, nëpër të cilat shtrihen Karpatet.

Qëllimi i nismës është promovimi i bashkëpunimit tregtar dhe të sigurisë.

Në takimin në Ukrainën perëndimore, Zelensky falënderoi aleatët rajonalë për mbajtjen hapur të lidhjeve tregtare dhe të transportit pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022..

Grupimi i ri përfshin Rumaninë, Serbinë, Poloninë, Sllovakinë, Çekinë, Austrinë, Hungarinë dhe Bashkimin Evropian.