Zelensky dhe Von der Leyen flasin për sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kiev, 11 qershor 2022. Fotografi ilustruese.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një bisedë telefonike me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë së cilës diskutuan lidhur me sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

"U bisedua për mbështetjen për Ukrainën, por në veçanti, nevojën për të përgatitur paketën e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë", njoftoi zyra e Zelenskyt.

Më 24 shkurt, në përvjetorin e parë të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës nga Rusia, BE-ja miratoi paketën e 10-të të sanksioneve .

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, paralajmëri atëherë se blloku evropian do të vazhdojë vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë – dhe do ta bëjmë këtë për aq sa të ketë nevojë, derisa Ukraina të çlirohet nga agresioni brutal rus”.

Në paketën e 10-të përfshihen sistemet e armatimit, si dronët, raketat, helikopterët dhe kamerat termike në listën e eksporteve të ndaluara. BE-ja vendosi gjithashtu kufizime të tjera në importin e produkteve që gjenerojnë të hyra për Rusinë, përfshirë asfaltin dhe gomën sintetike.

Në listë u shtuan edhe 96 subjekte që mbështesin kompleksin ushtarak dhe industrial rus, përfshirë edhe shtatë kompani iraniane që prodhojnë dronë ushtarakë për Moskën.

SHIKONI EDHE:

BE-ja miraton sanksione të reja dhe zotohet për presion shtesë ndaj Moskës

Pas telefonatës, Von der Leyen, në një postim në Twitter tha se Ukraina do të jetë një temë e rëndësishme gjatë takimeve të saj me presidentin kinez, Xi Jinping, në Pekin. Ajo dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, do ta vizitojnë Kinën nga data 5 deri më 7 prill.