Zjarrfikësit në Francë dhe në Spanjë vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret masive pyjore që kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Të dyja vendet po përgatiten, po ashtu, për një valë të re të të nxehtit që pritet ta përkeqësojë situatën nga e mërkura.
Në Francë, zjarrfikësit arritën ta frenojnë përhapjen e zjarrit pranë qytetit të Bordosë gjatë natës.
Në Spanjë, autoritetet lejuan banorët e nëntë prej 11 qyteteve të evakuuara në provincën Toledo, të kthehen në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, zjarret vazhdojnë të djegin hapësira jashtë kontrollit në rajonin e Madridit dhe në provincat fqinje Avila dhe Toledo.
Një banor i evakuuar nga zjarret në Spanjë e përshkroi situatën si “një ferr të kuq”, duke thënë se njerëzit u larguan me nxitim, duke marrë me vete vetëm rrobat që kishin veshur, raporton Reuters.
Avila, Spanjë, 23 korrik 2026
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se vendi po përballet me situatën më të rëndë me zjarret pyjore që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Po përballemi me një zjarr pyjor krejtësisht të paprecedentë”, tha ai gjatë një vizite tek ekipet e emergjencës pranë Bordosë.
Sipas autoriteteve franceze, deri tani këtë vit janë djegur më shumë sipërfaqe pyjore se në të njëjtën periudhë të çdo viti që nga viti 2006.
Vala e të nxehtit pritet ta përkeqësojë situatën
Autoritetet franceze dhe spanjolle paralajmërojnë se temperaturat e larta të ditëve në vijim mund ta vështirësojnë edhe më shumë luftën kundër zjarreve.
Në Francë po evakuohen kampe dhe komplekse turistike në zonën bregdetare pranë Bordosë.
Në Spanjë, vendi po përgatitet për valën e katërt të të nxehtit këtë verë.
Temperaturat e larta, erërat e forta dhe lagështia e ulët pritet të rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve.
Sipas autoriteteve spanjolle, më shumë se 73.000 persona janë evakuuar, ndërsa rreth 66.000 të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë brenda shtëpive për shkak të rrezikut nga zjarret.
Meteorologët parashikojnë që vala e të nxehtit të arrijë kulmin të mërkurën.
Temperaturat në Paris mund të shkojnë deri në 38 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Madridit deri në 37 gradë.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive, duke krijuar kushte që favorizojnë përhapjen e zjarreve pyjore.