Një zyrtar i lartë i Pentagonit u ka thënë aleatëve të NATO-s se Moska ka të ngjarë ta vazhdojë luftën në Ukrainë të paktën edhe gjatë muajve të dimrit, me gjithë përpjekjet e Uashingtonit për ta ndërmjetësuar një armëpushim dhe një marrëveshje për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës.
Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, i bëri këto komente më 17 nëntor në Bruksel.
Gjatë një takimi me anëtarët e aleancës në kryeqytetin belg, Colby u përball gjithashtu me kritika të ashpra nga aleatët e SHBA-së dhe Ukrainës për deklaratat e tij kundër sulmeve të fundit të Kievit thellë brenda Rusisë.
Colby mori pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është grupim joformal i rreth 50 shteteve, që bashkërendon mbështetjen ushtarake për Ukrainën mes aleatëve perëndimorë. Ai njihet edhe si Grupi i Ramsteinit.
SHIKONI EDHE:
Kërkesat e Rusisë janë pengesë e madhe për një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Cilat janë ato?Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes tha se, “me ardhjen e dimrit, duket se Rusia do të vazhdojë të grumbullojë edhe më shumë trupa dhe ta përdorë ekonominë për ta zgjatur luftën”. Ai shtoi se të gjithë duhet të jenë të përgatitur që lufta “të vazhdojë”.
Colby tha se presidenti amerikan, Donald Trump, mbetet “plotësisht i përkushtuar për t’i dhënë fund këtij konflikti, me kushte që garantojnë paqe të qëndrueshme”.
Trump pritet të marrë pjesë në një takim në qytetin kinez, Shenzhen, së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, ku pritet të diskutohet për luftën dhe përpjekjet e ndryshme për t’i dhënë fund asaj.
SHIKONI EDHE:
Çfarë pritet nga samiti mes Trumpit, Xisë dhe Putinit?Në të njëjtën ditë, të dërguarit e Trumpit për paqe, dhëndri i tij Jared Kushner dhe Steve Witkoff, pritet të marrin pjesë në një takim në Berlin me Koalicionin e Vullnetit, grupit të udhëhequr nga Gjermania, Franca dhe Britania, i krijuar për të mbështetur përpjekjet ndërmjetësuese të Uashingtonit dhe për të shqyrtuar mundësinë e krijimit të një misioni paqeruajtës, në rast se arrihet marrëveshje armëpushimi në Ukrainë.
“Sulmet nuk patën ndikim”
Colby e kritikoi gjithashtu Ukrainën për sulmet që ka kryer rishtazi thellë brenda Rusisë. Në shënjestër të atyre sulmeve kanë qenë objektet energjetike ruse dhe depot e gjigantit rus të tregtisë elektronike, Wildberries.
“Vlerësimi ynë është se këto sulme nuk kanë qenë efektive në përshpejtimin e përfundimit të luftës dhe as nuk kanë ndihmuar në frenimin e përparimit të Rusisë në vijën e frontit”, tha Colby.
“Për më tepër, sulme të tilla, veçanërisht ato që shënjestrojnë infrastrukturën civile, siç janë objektet e Wildberries, me gjasë e kanë forcuar edhe më shumë vendosmërinë e popullit rus dhe gatishmërinë e vetë Kremlinit për ta përshkallëzuar konfliktin”, shtoi ai.
Megjithatë, ai theksoi se “Ukraina nuk duhet të detyrohet të luftojë me duart e lidhura pas shpine”, duke shtuar se sulmet “e përqendruara në vijën e frontit dhe në mbështetjen e drejtpërdrejtë të luftimeve në atë zonë janë çështje tjetër, natyrisht”.
SHIKONI EDHE:
Ura e Krimesë dëmtohet rëndë, teksa Ukraina dhe Rusia këmbejnë sulmeDeklaratat e tij vijnë në kohën kur Ukraina goditi urën strategjike dhe simbolike të Kerçit, e cila lidh Rusinë me gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar jashtëligjshëm nga Moska. Kjo ka bërë që përpjekjet e Kremlinit për ta furnizuar rajonin e pushtuar të kufizohen ndjeshëm. Ura është e vetmja lidhje e drejtpërdrejtë rrugore dhe hekurudhore mes Rusisë dhe gadishullit në Detin e Zi.
Kievi ka goditur objektiva brenda Rusisë në përgjigje të intensifikimit të sulmeve të Kremlinit ndaj infrastrukturës civile ukrainase, përfshirë objektet energjetike. Këto sulme kanë shkaktuar mungesa të karburantit në prag të muajve të dimrit, që pritet të jenë veçanërisht të vështirë.
Kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy, i tha Radios Evropa e Lirë më 16 nëntor se Rusia synon “t’ua shuajë vullnetin” ukrainasve në kohën kur po hyn dimri.
SHIKONI EDHE:
Sulmet ruse synojnë t’ua “shuajnë vullnetin” ukrainasve, thotë kryeministri ukrainasKritikat e Colbyt për sulmet e Ukrainës thellë brenda Rusisë u kundërshtuan nga aleatët amerikanë dhe ukrainas.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cilësoi këto kritika si “veprim mjaft i pamend”.
“Në vend që të kritikohet Ukraina për sulmet në thellësi të territorit rus, është më mirë të kritikohen sulmet terroriste që kryhen çdo natë dhe çdo ditë ndaj infrastrukturës energjetike, ujësjellësit dhe ngrohjes në Ukrainë”, u tha ai gazetarëve, duke iu referuar sulmeve të pareshtura ruse ndaj objekteve civile ukrainase.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, shprehu të njëjtin qëndrim, duke thënë se sulmet e Ukrainës “kanë ndihmuar në dobësimin e makinerisë së luftës së Putinit, duke fituar kohë dhe duke shpëtuar jetë”.