Ndërlidhjet

Irani përballet me vështirësi për ta gjetur zëvendësuesin e Raisit


Ebrahim Raisi, presidenti i Iranit që vdiq nga rrëzimi i helikopterit më 19 maj 2024. (Fotografi nga arkivi)
Ebrahim Raisi, presidenti i Iranit që vdiq nga rrëzimi i helikopterit më 19 maj 2024. (Fotografi nga arkivi)

Vdekja e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, ka bërë që Republika Islamike të hasë në vështirësi të mëdha për ta gjetur një zëvendësues të tij menjëherë. Vdekja e tij ka shkaktuar po ashtu implikime afatgjate për udhëheqësinë klerikale.

Mohammad Mokhber, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, e ka marrë tashmë detyrën e presidentit të përkohshëm.

Koha e tij si president do të jetë e shkurtër, dhe autoritetet kanë caktuar 22 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Mokhber, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe kryetari i Gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, duhet t’i organizojnë zgjedhjet e reja.

Raisi vdiq në vend së bashku me nëntë persona të tjerë, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, kur helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në veriperëndim të Iranit më 19 maj.

Raisi, ish-kryetar i Gjyqësorit që u emërua në zgjedhjet kontroverse të vitit 2021, shihej si pasues i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Duke folur para kombit më 19 maj para se të konfirmohej vdekja e Raisit, Khamenei tha se “populli iranian nuk duhet të shqetësohet, nuk do të ketë pengesa në punën e vendit”.

Por, vdekja e ultrakonservativit Raisi përbën sfidë për politikanët e linjës së ashpër të Republikës Islamike, të cilët e përforcuan pushtetin pas zgjedhjeve parlamentare të pranverës.

Ali Afshari, ish-lider i studentëve me bazë në SHBA, i cili ishte burgosur në Iran për veprimtarinë e tij, tha për Radion Frada të Radios Evropa e Lirë se “mund të mos jetë e lehtë te gjendet një lider si Raisi, i cili i bindej plotësisht Khameneit dhe sistemit”.

Procesi zakonisht i gjatë për caktimin e kandidatëve të përshtatshëm për president, të cilët i nënshtrohen hetimit dhe aprovimit nga Këshilli i fuqishëm i Gardës, do të shkurtohet tani në një afat kohor prej më pak se dy muajsh.

Raisi përfitoi nga diskualifikimi i madh i kandidatëve reformistë dhe të moderuar kur i fitoi zgjedhjet presidenciale më 2021.

Si një kandidat i zgjedhur me kujdes, i cili nuk do të përbënte kërcënim për Khamenein, ai i fitoi më shumë se 72 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale, në të cilat dalja ishte më e ulëta prej se u themelua Republika Islamike më 1979.

Ekziston një precedent për tranzicion të shpejtë presidencial në Iran.

Presidenti i dytë i Republikës Islamike, Mohammad-Ali Rajai, shërbeu më pak se dy javë, para se të vritej më 1981. Ai ishte zëvendësuar pas rreth një muaji nga Khamenei, i cili i fitoi më shumë se 95 për qind të votave në zgjedhjet në të cilat u mbështet nga të gjithë tre kandidatët e tjerë.

Sanam Vakil, drejtoreshë e programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House në Londër, tha në një intervistë se pret proces të përshpejtuar këtë herë.

“Udhëheqësit duan të tregojnë përkushtim ndaj Kushtetutës, por edhe praktikë të zakonshme”, tha Vakil.

“Lehtësimi i mbajtjes së zgjedhjeve të shpejta dhe të përgjegjshme do të jetë i rëndësishëm, së paku për zonat e jashtme elektorale dhe për të treguar stabilitet”, theksoi ajo.

Vakil radhiti kandidatët e kaluar presidencialë, të cilët janë hetuar tashmë nga Këshilli i Gardës, në mesin e pasardhësve të mundshëm të Raisit, përfshirë kryetarin e Parlamentit, Qalibaf.

Vakil nënvizoi gjithashtu se Khamenei mund ta shfrytëzojë rastin për ta “rehabilituar” ish-kryetarin e “margjinalizuar” të Parlamentit, Ali Larijani, i cili e kishte të ndaluar të garonte kundër Raisit më 2021, por “ ka qenë mbështetës besnik i sistemit”.

Disa vëzhgues kanë sugjeruar se kjo mund të jetë një mundësi për ndreqjen e marrëdhënieve me anëtarët e kampit të ish-presidentit të moderuar, Hassan Rohani, thotë Vakil, edhe pse ajo nuk e sheh Rohanin si kandidat të mundshëm për president.

Më 2021, Raisi i mposhti Mohsen Rezaee, një oficer i lartë i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, si dhe Abdolnaser Hemmati, një bankier i cili ishte kandidati i vetëm i moderuar në garë.

“Se kë do ta zgjedhë, apo lejojë sistemi të garojë, do të tregojë vërtet prioritetet dhe drejtimin e kësaj udhëheqësie politike”, tha Vakil.

Në anën tjetër, nëse përzgjidhet një kandidat i vijës së ashpër nga radhët e udhëheqësisë klerikale, do të tregonte se “prioritetet janë uniteti, konsolidimi konservator dhe të qenët i sigurt që tranzicioni...vazhdon të jetë prioritet”.

Zgjedhja e presidentit këtë vit do të sjellë ndryshime gjithashtu edhe në afatin kohor të zgjedhjeve, pasi presidenti i ardhshëm do të ketë mandat të plotë katërvjeçar. Kjo nënkupton se zgjedhjet presidenciale në të ardhmen do të mbahen në vitin e njëjtë me zgjedhjet parlamentare.

Vdekja e Raisit lë boshllëk të madh në përpjekjet e Iranit për ta zgjedhur liderin e ardhshëm suprem gjithashtu. Lideri suprem i merr të gjitha vendimet vendimtare për politikat e brendshme dhe të jashtme të Iranit.

Udhëheqësia klerikale e Iranit, theksoi Afshari, e gjen veten tani “në një situatë të pakëndshme” për gjetjen e një pasardhësi të përshtatshëm për 85-vjeçarin Khamenei, i cili raportohet se ka vuajtur nga telashe shëndetësore në vitet e fundit.

Afshari thotë se ka pak opsione në dispozicion tani, por se ish-kundërshtarët e Raisit do të përfitojnë me gjasë. Ai e përmendi të birin e Khameneit, klerikun e rëndësishëm Mojtaba Khamenei, si kandidat të fuqishëm për ta zëvendësuar babanë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG