Ndërlidhjet

Holanda dhe Britania – për, Rumania kundër pavarësisë së Kosovës


GJND
GJND

Holanda dhe Britania e Madhe pohuan se pavarësia e Kosovës është shpallur në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Rumania tha se Rezoluta 1244 ka garantuar integritetin territorial të Serbisë.


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, të enjten, ka vazhduar seancat dëgjimore lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës me paraqitjet e Holandës, Rumanisë dhe Britanisë së Madhe.

E para ka folur përfaqësuesja e Holandës, Lizbet Lajzand, që ka thënë se vendi i saj konsideron se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Ajo ka apostrofuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, pasi që më parë ishin eksploatuar të gjitha mundësitë tjera për zgjidhje të çështjes.

Lajzand ka thënë se e drejta e Kosovës për vetëvendosje del edhe nga shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, që janë dëshmuar në OKB dhe Tribunalin e Hagës. Në këtë kontekst, ajo ka folur për 700 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova përmes vrasjeve, dhunimeve dhe shkatërrimeve.

Lizbet Lajzand, në vazhdim, ka thënë se në ish-Jugosllavi, Kosova ishte autonome, por kjo pozitë kushtetuese u asgjësua dhe shqiptarët mbetën të papërfaqësuar në nivelin federativ dhe, rrjedhimisht, krijuan institucionet paralele si themel i vetadministrimit.

“Nuk ka vend për drojë nëse pavarësia e Kosovës paraqet precedent, sepse shpallja e saj ka qenë mjeti i fundit dhe paraqet faktor stabiliteti në Ballkan”, ka konkluduar përfaqësuesja e Holandës, Lizbet Lajzand.

Oratori tjetër ka qenë përfaqësuesi i Rumanisë, Bogdan Areshku, që ka mbrojtur pozicionin e Serbisë dhe ka pohuar se nuk pajtohet me qëndrimet e atyre që thonë se GJND-ja nuk duhet të deklarohet rreth çështjes së Kosovës.

Rumania nuk pajtohet as me qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka ndikim në të drejtën ndërkombëtare.

“Krijimi i një shteti është çështje e GJND-së. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt, por edhe me krijimin e një subjekti të ri të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Areshku, për të shtuar se nuk është i saktë as pohimi se e drejta ndërkombëtare nuk e rregullon (sanksionon) çështjen e secesionit.

“Kjo qasje përmban shumë rreziqe, sepse kjo do të thotë se çdo distrikt mund të shpallë pavarësinë”, ka pohuar përfaqësuesi i Rumanisë, Bogdan Areshku, i cili ka konkluduar se “Rezoluta 1244 garanton integritetin territorial të Serbisë”.

Britania e Madhe
, që ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, është përfaqësuar nga Deniel Betlhem dhe Xhejms Kraford.

Zoti Betlhem, në hapje të ekspozesë së tij, ka bërë të ditur se do të polemizonte me të gjithë ata që në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kontestuan ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka shtruar pyetjen nëse Rezoluta 1244 ndalon shpalljen e pavarësisë dhe menjëherë është përgjigjur se kjo nuk qëndron, sepse “Rezoluta 1244 nuk prejudikon statusin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, as nuk e ndalon pavarësinë”.

Ai ka apsotrofuar Rusinë, Spanjën, Rumaninë, Argjentinën, Brazilin dhe vendet tjera që janë thirrur në Rezolutën 1244 dhe ka thënë se të gjithë ata i kanë bërë interpretim të gabuar asaj.

“Serbia dëshiron që në GJND të kthejë orën prapa, por ajo nuk mund të kthehet”, ka thënë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, për të shtuar se zgjidhja është në përfshirjen e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Ne nuk i shohim këto seanca si armiqësore ndaj Serbisë. Dy dekadat e fundit kanë qenë traumatike për Ballkanin dhe demokracia në Serbi nuk është më e vjetër se ajo në Kosovë. Rajonin duhet çuar përpara”, ka thënë Deniel Betlhem, për të konkluduar se pavarësia e Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Përfaqësuesi tjetër i Britanisë së Madhe, Xhejms Kreford, ka pohuar se e drejta ndërkombëtare nuk autorizon, por as nuk ndalon shpalljen e pavarësisë. Secesioni nuk është akt joligjor dhe as ligjor, por akt neutral, ka thënë Kreford.

Rrjedhimisht, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ka thënë Kreford dhe ka konkluduar se “Serbia nuk bën të fokusohet vetëm në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe në të gjitha ato zhvillime që i kanë paraprirë asaj”.


Dita 7


Ishin Franca, Jordania dhe Norvegjia, vendet që në ditën e shtatë të procesit në GJND njëzëri mbështetën pavarësinë e Kosovës.

Franca, madje, ka kërkuar nga GJND-ja “të mos japë fare mendim rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, sepse, siç u tha, kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi praktike, pasi që pavarësinë e Kosovës tashmë e kanë njohur 63 vende.

Jordania ka thënë se “Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë Serbisë, ndërsa është aneksuar dhe është mbajtur me dhunë; shqiptarët e Kosovës janë popull dhe u takon e drejta e vetëvendosjes, sepse, pos tjerash, përbëjnë grup kompakt në planin politik, gjuhësor dhe çdo kuptim tjetër, që jeton me shekuj në territorin e Kosovës”.

Norvegjia gjithashtu ka mbështetur pa asnjë hezitim pavarësinë e Kosovës, duke pohuar se “GJND-ja nuk ka përse të merret me integritetin territorial dhe as çështjen e vetëvendosjes, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kontradiktë me asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare”.


Dita 6


Dita e gjashtë u shënua si mbrojtja më e fuqishme e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara.

“Lëreni të qetë pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është vullnet i popullit dhe faktor stabiliteti në Ballkan”, ka thënë përfaqësuesi amerikan në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Harold Koh.

"Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk përmban asgjë në kundërshtim me këtë të drejtë".

Ai ka pohuar se nga qindra deklarata të pavarësisë, asnjë nuk është hedhur poshtë nga e drejta ndërkombëtare dhe kjo nuk bën të ndodhë as me Kosovën.

Rusia, ndërkaq, është kundërpërgjigjur, duke thënë se “shumë deklarata të pavarësive janë konsideruar të paligjshme nga Këshilli i Sigurimit”, duke marrë si shembull Qipron Veriore.

”Në vitin 2008 nuk kishte kërcënim ndaj popullit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të merret si argument për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë përfaqësuesi rus.

Spanja ka konsideruar se Rezoluta 1244 është ende në fuqi, ndërsa procesi politik për gjetjen e zgjidhjes është ende në vazhdim e sipër, gjithnjë derisa Këshilli i Sigurimit nuk miraton një vendim tjetër.

Ndërkaq, Finlanda, pa asnjë hezitim, ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se pas rënies së Murit të Berlinit, rrethanat kanë ndryshuar…është populli ai që e cakton fatin e territorit dhe jo territori fatin e popullit.


Dita 5


ditën e pestë, qëndrimet e tyre i ka shpalosur fillimisht Kina, e pastaj Qiproja, duke e kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Sipas tyre, “respektimi i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së dhe OSBE-së dhe shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve”.

Edhe përfaqësuesit e këtyre vendeve mendojnë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”.

Në mbrojtje të pavarësisë u vunë Kroacia dhe Danimarka, duke vlerësuar se "pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces politik dhe se Kosova është një rast ‘sui generis’".

Të dyja këto vende kanë shprehur fuqishëm qëndrimet e tyre se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, sepse ajo nuk prejudikonte epilogun e procesit politik".


Dita 4


Dita e katërt e debatit mbi pavarësinë e Kosovës nisi me shpalosjen e qëdrimeve nga Bolivia dhe Brazili. Të dyja këto vende mendojnë se “Kosova nuk ishte koloni, nuk ishte e okupuar dhe as territor i vetadministruar dhe si e tillë nuk ka pasur të drejtën e vetëvendosjes”.

Sipas tyre, “institucionet e përkohshme të Kosovës, me shpalljen e pavarësisë, kanë shkelur Rezolutën 1244 dhe, rrjedhimisht, edhe zotimet politike të atyre që e miratuan këtë dokument”.

Në mbrojtje të pavarësisë ishte Bullgaria, e cila ka argumentuar se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”.

Një qëndrim të balancuar ka shpalosur Burundi, duke thënë se "kualifikimi i shpalljes së pavarësisë së Kosoves si akt jo i ligjshëm nuk do të kishte asnjë efekt praktik, sepse Kosova do të vazhdonte të ekzistonte si gjendje faktike".


Dita 3


ditën e tretë të shqyrtimeve para gjykatës, Austria ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë akt konform së drejtës ndërkombëtare.

Ambasadori austriak, Helmut Tiki, ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Azerbajxhani dhe Bjellorusia u rreshtuan kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar se secesioni gjithnjë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”,

Të dyja këto vende e kanë kontestuar edhe të drejtën e vetëvendosjes në Kosovë, duke vlerësuar se në rastin e Kosovës nuk mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes që del nga pozita koloniale, sepse, siç kanë thënë, ajo e tillë nuk ka qenë.


Dita 2


Një ditë më parë, në seancë janë paraqitur Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite në favor të Kosovës, duke mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj. Argjentina, ndërkaq, e ka kundërshtuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë.

Shqipëria dhe Gjermania, madje, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, kanë kontestuar “të drejtën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Të dyja këto vende, së bashku edhe me përfaqësuesin e Arabisë Saudite, e kanë cilësuar pavarësimin e Kosovës si një faktor stabiliteti në rajon.

Argjentina, ndërkaq, ka vlerësuar se “me pavarësinë e Kosovës, është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri te marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”.


Dita 1


Në ditën e parë të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë dhënë argumentet e tyre mbi ligjshmërinë apo jo të deklaratës së pavarësisë.

“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa - për të zhvilluar negociata të mëtejshme rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, në fjalën e tij.

Ai ka nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Ndërkaq, Dushan Batakoviq, udhëheqësi i delegacionit serb, ka thënë se “deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”. Ai, megjithatë, ka shtuar se “Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.
XS
SM
MD
LG