Ndërlidhjet

Vota për rezolutën, votë kundër GJND-së


Prishtina zyrtare beson se rezoluta e Serbisë nuk do të përkrahet nga vendet e rajonit, ato që e kanë njohur Kosovën e pavarur, si dhe shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Këtë bindje Prishtina e mbështet në aktivitetin e zhvilluar diplomatik, si dhe në mendimin e GJND-së, duke besuar se vota për rezolutën serbe do të nënkuptonte votë kundër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.


Autoritetet në Prishtinë besojnë se Kosova do ta fitojë edhe betejën tjetër politike me Serbinë, kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ndonëse Kosova nuk do të jetë e pranishme në punimet e sesionit që fillon në javën e dytë të shtatorit, bindjet e veta Kosova i mbështet te vendet që e përkrahin pavarësinë e saj dhe te mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si organi më i lartë për interpretimin e të Drejtës Ndërkombëtare, dhe i cili dha mendim pozitiv në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Prishtina bashkë me miqtë e saj ndërkombëtarë kanë zhvilluar një aktivitet të ngjeshur diplomatik, filluar nga vendet e rajonit e tutje për t’u siguruar se këto vende nuk do t’i japin votën miratimit të rezolutës së Serbisë, e cila bën thirrje, mes tjerash për negociata të reja për statusin e Kosovës.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë qenë në bashkërendim të plotë me vendet mike për ta penguar miratimin e kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme...


“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë qenë në bashkërendim të plotë me vendet mike për ta penguar miratimin e kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme dhe mund të them se ky koordinim ka përfshirë SHBA-të, pastaj 22 vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, por edhe vendet fqinje dhe ato të rajonit”.

“Ne besojmë fuqishëm se mbështetja e këtyre vendeve nuk do të mungojë as ditën kur eventualisht do të diskutohet për këtë projekt-rezolutë, që e ka paraqitur Serbia”
, thotë Beqiri.

Bindjen e njëjtë për dështimin e rezolutës së Serbisë në Nju-Jork e shpreh edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai thotë se kohët e fundit është vënë në lëvizje e gjithë diplomacia e vendeve perëndimore për të penguar miratimin e kësaj projekt-rezolute.

Edhe Kuçi shprehet optimist se shumica e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme nuk do ta japin votën për këtë rezolutë, edhe nëse ajo procedohet përfundimisht në rendin e ditës, pasi që ajo paraqet konfrontim me mendimin e GJND-së.

Hajredin Kuçi

“Në historinë e OKB-së nuk ka ndodhur ndonjë rast kur një rezolutë e saj ka qenë në kundërshtim me mendimin apo vendimin e GJND-së”.

“Ju e dini që GJND-ja është organi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare, është organi i vetëm i interpretimit të Drejtës Ndërkombëtare dhe po ashtu vendimet apo mendimet e saj janë të apelueshme dhe në këtë drejtim nuk ka një institucion tjetër që mund ta kundërshtojë mendimin e saj
”, deklaron Kuçi.


Për autoritetet në Prishtinë nuk është shumë e rëndësishme nëse Serbia në fund bie dakord që të ndryshojë tekstin e projekt-rezolutës, pasi që për Kosovën konsiderohet e pranueshme vetëm ajo rezolutë apo deklaratë që do të pasqyronte mendimin e GJND-së dhe jo mendimin dhe kompromiset e Serbisë.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se edhe nëse do të ketë ndryshime në tekstin e kësaj rezolute, ato mund të jenë kozmetike.

Ahmet Isufi

“Edhe nëse bëhet ndonjë ndryshim do të jetë kozmetik. Ndërsa, përfaqësuesit e Kosovës duhet të jenë kategorikë që rezoluta të mos kalojë në OKB dhe po ashtu të jenë kategorikë sa i përket asaj çfarë pretendon Serbia mbi Kosovën. Kokëfortësia që ka treguar qeveria serbe dhe pushtetarët serbë, tregon për mentalitetin, i cili nuk ka ndryshuar atje”
, thekson Isufi.

Të shtunën presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni pritet të udhëtojnë për në Vjenë, prej nga më pas atyre do t’u bashkohet edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe që të tre, nga fillimi i javës së ardhshme, do të qëndrojnë në Nju-Jork.


Atje lidershipi kosovar ka paralajmëruar se do të zhvillojë shumë takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme me qëllim të lobimit për njohje të reja apo edhe lobimit kundër miratimit të rezolutës serbe në Nju-Jork.

Lexoni edhe këtë:
Rezoluta për Kosovën, bumerang për Serbinë?
XS
SM
MD
LG