Ndërlidhjet

Modifikimi i rezolutës dhe veriu


Prishtinë
Prishtinë

Opozita në Prishtinë thotë se modifikimi i projektrezolutës serbe për Kosovën mund të pasojë kushtëzimet e Beogradit për të hapur çështjen e veriut.


Pavarësisht faktit se Kosova po përfaqësohet në Nju Jork në prag të sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme nga presidenti, ministri i Jashtëm si dhe kryeministri, opozita në Prishtinë shpreh dyshime nëse angazhimi i tyre mund të bllokojë rezolutën serbe, me të cilën Beogradi kërkon negociata të reja.

Por, bindjet e opozitës se rezoluta serbe do të dështojë, mbështeten te miqtë ndërkombëtarë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova, thotë se, ngjashëm me shpalljen e pavarësisë dhe procesin e njohjeve, edhe në Asamblenë e Përgjithshme rrjedha pozitive për Kosovën mund të jetë meritë e miqve të Kosovës.

“Falë miqve tanë ndërkombëtarë, që tek e fundit janë edhe sponsorë të pavarësisë së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje maksimale që ajo rezolutë të mos kalojë me tekstin që e ka paraqitur Qeveria serbe. Nuk ka asnjë fakt që na bind se Qeveria, presidenti dhe Ministria e Jashtme kanë bërë diçka konkrete”, thotë Rugova.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së
Ndërkohë, Ibrahim Gashi, anëtar i Kryesisë së Kuvendit dhe deputet i Aleancës Kosova e Re, thotë se për Kosovën nuk është i favorshëm asnjë tekst i rezolutës që paraqitet nga Serbia, qoftë edhe i modifikuar.

Sipas tij, nëse Serbia pajtohet të modifikojë tekstin e projektrezolutës, atëherë ajo mund të kërkojë që të hapet si temë më vete çështja e veriut të Kosovës.

“Nëse Serbia lëshon pe që të ndryshohet draft-rezoluta, atëherë edhe Kosova duhet të lëshojë pe dhe ky lëshim pe i Kosovës mund të tërheqë një konsekuencë që nënkupton futjen në agjendën e bisedimeve, siç po thuhet teknike, edhe të çështjes së veriut. Kjo nuk do të ishte më çështje teknike, por politike, që mund të rezultojë edhe me tejkalimin, përkatësisht hapjen e Pakos së Ahtisarit”, thotë Gashi.

Gjendja aktuale me rezolutën serbe konsiderohet si shumë e komplikuar nga njëri prej përfaqësuesve politikë të minoritetit serb, Rangjel Nojkiq. Ai thotë se Serbia ndodhet para një trysnie të madhe ndërkombëtare dhe është e mundur që në fund Beogradi të lëshoj pe.

Edhe Nojkiq nuk e përjashton mundësinë që në fund, Beogradi të shfaqë interesimin vetëm për pjesën veriore.

“Tani, me të vërtetë, politika zyrtare e Beogradit, të paktën për kah angazhimet e njerëzve që punojnë në institucione në Beograd, është që nga i gjithë ky rrëfim ta marrin pjesën veriore apo që kjo pjesë të marrë një status të veçantë, që në fakt do të thotë ndarje e Kosovës, çka për ne serbët poshtë Ibrit nuk paraqet zgjidhje dhe është një politikë e gabuar”,
thotë Nojkiq.

Sesioni i radhës në Asamblenë e Përgjithshme po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen në Kosovë, jo vetëm për faktin nëse do të kalojë apo jo rezoluta serbe, por edhe që të dihet se çka me të vërtetë mund të prodhojnë kompromiset e Beogradit rreth modifikimit të projektrezolutës dhe sa ato mund të implikojnë edhe në çështjet e brendshme të Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Optimistë për betejën në OKB
Vota për rezolutën, votë kundër GJND-së
XS
SM
MD
LG