Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina kërkon praninë e SHBA-ve në bisedime


Rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme i jep Bashkimit Evropian rolin kryesor në bisedimet e mundshme mes Prishtinës dhe Beogradit. Por, Prishtina zyrtare ka bërë të ditur se nuk do të hyjë në bisedime, nëse SHBA-të nuk janë të përfshira në këtë proces.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha Radios Evropa e Lirë se roli i SHBA-ve në të gjitha proceset që ndërlidhen me Kosovën, nuk zëvendësohet me asgjë.

Hajredin Kuçi
“Ne, kudo që jemi dhe bisedohet për Kosovën, rolin e SHBA-ve e shohim të pazëvendësueshëm. Në këtë drejtim, Kosova punon me mekanizmat ndërkombëtarë që SHBA-të të jenë pjesë, jo vetëm pjesë për shkak të dëshirës sonë, por edhe për shkak të nevojës për një zgjidhje të qëndrueshme, ku një lloj garanti do të thosha, do të ishin edhe SHBA-të, edhe BE-ja”.

“Në këtë drejtim, besoj se edhe zgjidhja e pranueshme do të ishte në raport të unitetit SHBA-BE”,
tha Kuçi.

Një javë pas miratimit të rezolutës së Serbisë, të bashkësponsorizuar nga Unioni Evropian, nuk është bërë publike as formati, e as koha e mbajtjes së bisedimeve.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se krahas agjendës që, sipas tij, duhet të miratohet në Kuvend, në vendimin eventual të legjislativit duhet të theksohet prania e SHBA-ve në procesin e bisedimeve.

“Mendoj se ndikimi kryesor për ndryshimin e rezolutës në OKB dhe për harmonizimin mes BE-së dhe Serbisë, ka qenë kryesisht i SHBA-ve dhe presioni është bërë nga SHBA-të për tërheqjen e rezolutës dhe për aprovimin e rezolutës së miratuar në OKB”.

“Konsiderojmë se pa pjesëmarrjen e SHBA-ve, absolutisht nuk do të mund të ketë çfarëdo bisedimesh, që mund të jenë të nivelit politik”,
tha Isufi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithnjë të përfshira në zgjidhjen e problemit të Kosovës, që nga vitet e ’90-ta.

Zëvendëskryeministri Kuçi i quan ato aksionare të paqes në Ballkan. Kështu, që, sipas tij, SHBA-të duhet të jenë të përfshira edhe në proceset tjera, si mund të jenë bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm. Ato janë aksionare të paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe në botë. Në këtë drejtim, një unitet i qëndrueshëm i SHBA-ve dhe i BE-së, përballë qëndrimeve për Kosovën dhe rajonin, do të ishte i dobishëm për të gjitha palët”, tha Kuçi.

Një rol më i madh i SHBA-ve në procesin e bisedimeve është kërkuar një ditë më parë edhe në Kuvendin e Kosovës. Për një gjë të tillë ka pajtim mes Qeverisë e opozitës.

Ahmet Isufi
Ahmet Isufi, nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon sqarim të rolit të SHBA-ve.

Institucionet e Kosovës, jo vetëm kërkesë zyrtare, por duhet të marrin edhe vendime në Parlamentin e Kosovës lidhur me agjendën për bisedime, por edhe për praninë e SHBA-ve, meqë SHBA-të kanë pasur rol vendimtar në çlirimin e Kosovës, në pavarësinë e Kosovës, në proceset që po e ndihmojnë Kosovën në demokratizimin e vendit dhe po ashtu në krijimin e raporteve të njohjeve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës”, u shpreh Isufi.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Kuçi nuk mendon se do të paraqesë ndonjë problem mospërmendja e SHBA-ve në rezolutën e miratuar në Asamble, pasi, sipas tij, rezoluta në fjalë nuk përjashton dikë tjetër si palë lehtësuese në dialogun Prishtinë-Beograd.

Për këtë dialog ende nuk janë caktuar temat që do të diskutohen. Prishtina insiston që të bisedohen vetëm çështjet teknike. Por, ka zëra që thonë se në kuadër të këtyre bisedimeve duhet të zgjidhet edhe çështja e veriut të Kosovës, ku vazhdojnë funksionimin strukturat paralele serbe.

Lexoni edhe këto:
Kërkohet platformë bisedimesh me Serbinë
Ç’është e (pa)pranueshme për dialogun Kosovë-Serbi?
XS
SM
MD
LG