Ndërlidhjet

Anojnë kah zgjedhjet e jashtëzakonshme


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Organizimi dhe data e zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë vazhdon të jetë tema kryesore e debateve ndërpartiake.

Ndonëse data 13 shkurt është caktuar tashmë nga presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që nga dalja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë bërë një opsion real.

LDK-ja përsëriti sot se për hir të përgatitjeve më të mira, 13 shkurti është datë më e favorshme.

Por, nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme qysh këtë vit, kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, tha se partia e tij është e gatshme edhe për këtë opsion.

“LDK-ja është e gatshme që në çdo situatë të japë përballjen e vet, apo përgjigjen e vet, për të nxjerrë rezultat të mirë me besimin e qytetarëve. Por, ne themi se ajo datë që është preferuar nga ne, është data më e mirë – ajo që është dekretuar realisht prej ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit. Nëse do të kërkohej, konsensusi është i kësaj fryme. Unë them po ashtu se do të ishte në të mirë të përgatitjes së procesit zgjedhor”, tha Sejdiu.

Sejdiu edhe këtë herë tha se LDK-ja nuk ka në plan që të ngrejë mocion mosbesimi ndaj qeverisë, të cilën tashmë e ka braktisur. Kurse, në rast se partitë tjera ndërmarrin hapa të tillë, ai tha se LDK-ja do të vendosë aty për aty nëse do të mbështesë apo jo nisma të tilla mosbesimi ndaj qeverisë.

Mosgatishmëria e LDK-së që të nxjerrë në mocion mosbesimi qeverinë të cilën e braktisi, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë u cilësua si nj farsë politike.

Naser Rugova, nënkryetar i LDD-së, tha se LDK-ja ka lënë vendin në vakuum institucional dhe se tani Qeveria Thaçi e ka humbur të drejtën morale që të qeverisë, kështu që zgjedhjet e jashtëzakonshme, sipas tij, janë zgjidhja më e mirë.

“LDD-ja konsideron se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme janë zgjidhja e vetme nga kriza institucionale, e shkaktuar nga kjo qeveri e papërgjegjshme, e në veçanti nga njëri nga partnerët e koalicionit - LDK-ja”, tha Rugova.

Në kërkim të zgjedhjeve të shpejta është edhe partia më e madhe aktualisht në Kosovë - PDK-ja. Nënkryetari i saj, Bajram Rexhepi, tha se për organizimin e këtyre zgjedhjeve nevojitet vetëm një konsensus politik.

“Jemi për zgjedhje sa më parë, por jo në dëm të cilësisë. Kur të merret vesh Kuvendi dhe ta caktojë presidenti, ne jemi të gatshëm. Ndërkaq teknikisht, unë mendoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kapacitet kurdo që të marrim vendimin që të bëhen zgjedhjet”, tha Rexhepi.

Përderisa partitë politike nuk i përjashtojnë më zgjedhjet e jashtëzakonshme si opsionin më real, pritet që hapin e parë dhe vendimtar në ricaktimin e datës së zgjedhjeve për këtë vit ta ndërmarrë ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Ndërkohë, grupi për reformat zgjedhore ka përmbyllur pjesën e vet të punës me rekomandimet që kanë dalë në formë konsensusi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se propozimet në lidhje me reformat zgjedhore janë gati dhe tash varet nga qeveria dhe parlamenti nëse do t’i procedojnë dhe miratojnë para organizimit të zgjedhjeve të ardhshme.

Lexoni edhe këto:
Konsensus për zgjedhje të jashtëzakonshme?
Kriza po rrezikon proceset
Zgjedhjet e jashtëzakonshme - domosdo apo mundësi?
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG