Ndërlidhjet

Turqia do përfshirjen në dialog


Prishtinë, 3 nëntor 2010.

Prishtinë, 3 nëntor 2010.

Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se dialogu Prishtinë-Beograd dhe zgjedhjet e 12 dhjetorit do të ndikojnë në njohjet e reja të Kosovës. Gjatë vizitës në Kosovë, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të luajë çfarëdo roli në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.


Turqia, një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, është shprehur e gatshme që të marrë ndonjë detyrë në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një vizite në Prishtinë, tha se vendi i tij mund të luajë rol pozitiv në këto bisedime, meqë ka raporte të mira me të dyja palët.
Në momentin që të na vijë ftesa, ne jemi gati. Mos kini asnjë shqetësim, asnjë hezitim për këtë, pasi ne duam që këtu të krijohet një ambient paqësor...

“Në momentin që të na vijë ftesa, ne jemi gati. Mos kini asnjë shqetësim, asnjë hezitim për këtë, pasi ne duam që këtu të krijohet një ambient paqësor, pasi çdo gjë e mirë ndodhet te paqja”.

“Këtu ka qytetarë me origjinë serbe dhe ne mendojmë se Kosova do ta sfidojë edhe këtë çështje të vështirë. Ne kemi zhvilluar raporte me Beogradin dhe e dimë se edhe zyrtarët atje presin nga ne”,
tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi.

Një detyrë e tillë është mirëpritur nga kosovarët. Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, pasi nënvizoi angazhimin kosovar për bashkëpunim me fqinjët, e në këtë mes edhe me Serbinë, tha se Turqia mund të luajë rol të rëndësishëm.

“Unë dua të besoj se po shoh një vullnet më të mirë dhe më pozitiv edhe në Beograd, në mënyrë që të ndërtohen këto relacione ndërshtetërore dhe dy vendet tona, edhe Kosova, edhe Serbia, si vende të pavarura të jenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

“Unë dua të besoj se edhe roli i kryeministrit Erdogan dhe shtetit turk është i rëndësishëm edhe në relacionet Prishtinë-Beograd, por edhe në përgjithësi për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal. Ky rol nga ana ime është i mirëpritur”,
tha Thaçi.

Kosovarët presin nga Turqia që të luajë rol pozitiv si anëtare e Konferencës së Vendeve Islamike në rritjen e njohjeve të Kosovës, të paktën nga shtetet e kësaj konference.

Kryeministri turk nuk dha detaje, por tha se sinjale për njohje ka edhe nga ky organizëm.

“Unë kam bindjen se pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të vazhdojë të rritet numri i njohjeve dhe dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të japë kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim”.

“Një shtysë kësaj do t’i japin edhe zgjedhjet e 12 dhjetorit që do të mbahen këtu”,
tha Erdogan, i cili vizitoi Kosovën vetëm një ditë pas shpërndarjes së Kuvendit - hap ky që pasoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë.

Kryeministri turk do të qëndrojë në Kosovë dy ditë. Ai ditën e sotme e mbyll në Prizren, ku, ndër të tjera, do takohet me qytetarë, ndërsa kuvendi komunal do ta shpallë qytetar nderi të Prizrenit.

Në Prizren është më e përqendruar popullsia turke, ndërkohë që në këtë komunë gjuhë zyrtare është edhe turqishtja.
XS
SM
MD
LG